Tetë muaj pas vendimit kontrovers qeveria ende nuk e ka të qartë, as sa është sipërfaqja e ndërtuar pa leje dhe as sa është sipërfaqja e konfiskuar. Aksioni i nisur me nxitim vjeshtën që lamë pas, është shfryrë para zgjedhjeve, ndërsa prokuroria nuk ka nisur hetim penal për disa nga ndërtuesit e denoncuar nga Ministria e Brendshme. Aktualisht, të vetmit të ndëshkuar janë 3 policë.
Autor: Eliza Gjediku, INA Media
Në hyrje të kantierit të ndërtimit të kompanisë “Xheluks Construction” dhe “Laxmi real estate & Investment” pranë Liqenit të Thatë është vendosur njoftimi i konfiskimit. Shiritat e policisë dallohen edhe pak metra më tutje, në kantierin e dytë të ndërtimit të së njëjtës kompani, këtë herë në bashkëpunim me “Devis Construction”.
Pallatet 6-katëshe, me 2, 3 dhe 4 kate parking nëntokë, në pronësi të biznesmenit të njohur Julian Morina, u denoncuan nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, se ishin ngritur, njëri krejtësisht pa leje dhe tjetri, në tejkalim të lejes ndërtimore. Të dyja këto ndërtime, në një nga zonat më luksoze në periferi të Tiranës, iu janë nënshtruar procedurave për konfiskim, bazuar në VKM nr. 589 të datës 07/09/2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik, të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”.
Vendimi kontrovers, i publikuar nga qeveria në fillim të shtatorit që lamë pas, ka në thelb konfiskimin e të gjitha ndërtimeve pa leje apo katet shtesë për qëllime përfitimi, që janë bërë në shkelje të lejes ndërtimore.
Referuar vendimeve të konfiskimit, të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ndaj biznesmenit Morina janë marrë tri vendime konfiskimi për ndërtime shumëkatëshe pa leje në zemër të Tiranës. Po njësoj si Morina, edhe dhjetëra biznesmenë të tjerë kanë ndërtuar për qëllime përfitimi, pa leje ose duke tejkaluar lejen e ndërtimit, në zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Më shumë se 8 muaj pas show-t të qeverisë, duket se aksioni, që nisi me “dorë të hekurt”, është shfryrë. Nisma, që mori vrull në shtator të vitit 2022, ka ngecur në prag të zgjedhjeve. Gjatë këtij viti nuk rezulton asnjë vendim konfiskimi për katet shtesë dhe ndërtimet pa leje, ndërsa vendimi i fundit, i publikuar në faqen zyrtare të KKT-së, është ai i datës 28 dhjetor 2022.
Në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) janë publikuar 26 vendime për konfiskimin e mijëra metrave katrorë, të ndërtuar pa leje, por vetëm për 15 prej tyre është firmosur vendimi për sekuestrim, duke e bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me të tjerët.
Njëri prej tyre, “Syri i Tiranës”, ka vendosur dhurimin e metrave katrorë, të ndërtuar pa leje, ndërsa “Sallillari” e kundërshtoi vendimin dhe iu drejtua gjykatës.
Ekspertët gjykojnë se ky ligj, i ndërmarrë me emergjencë dhe që u la papritur në harresë, është një ligj elektoral, që favorizon ndërtuesit dhe rrit rrezikun e pastrimit të parave.
Të dhënat e vëna në dispozicion nëpërmjet kërkesave për informacion dëshmojnë se institucionet nuk janë në gjendje që të bëjnë transparencë, as mbi sipërfaqet e identifikuara si ndërtime pa leje dhe as mbi ato të konfiskuara.
Nga ana tjetër, të dhënat e vëna në dispozicion nga Prokuroria e Tiranës dëshmojnë se për dy ndërtues nuk kanë nisur hetimet.
Ndërtuesit i shpëtojnë drejtësisë
“Nuk do të ketë tolerancë për asnjë ndërtues”, – tha zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, më 7 shtator 2022, kur njoftoi VKM-në për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi.
Të dhënat e siguruara nëpërmjet përgjigjeve për informacion dëshmojnë se disa biznesmenë janë përkëdhelur nga ligji.
Sipas Ministrisë së Brendshme, janë 15 objekte të dyshuara me shtesa në sipërfaqe në proces konfiskimi, të cilat janë referuar në prokurori.
“Të gjitha rastet e evidentuara janë referuar pranë strukturave ligjzbatuese për hetim penal”, – përgjigjet Ministria e Brendshme.
Të dhënat e ofruara nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se një pjesë e bizneseve i ka shpëtuar drejtësisë, pasi për to nuk ka nisur asnjë hetim penal, ndërsa ka edhe raste, kur referimet janë bërë këtë vit. Nga 9 vendime konfiskimi në Tiranë, janë hapur gjithsej vetëm 8 hetime nga prokuroria.
Referuar përgjigjes së Prokurorisë së Tiranës, për shoqërinë “Xheluks Construction” janë hapur dy hetime të reja këtë vit, edhe pse ka tri raste konfiskimi, ndërsa hetimi i tretë për këtë kompani është i vitit 2021 në ngarkim të Julian Morinës për ndërtimin te Liqeni i Thatë. Pra, për më shumë se një vit u lejua që ndërtimi pa leje të vazhdonte, edhe pse shteti kishte dijeni.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në regjistrin e indekseve të kallëzimeve dhe të procedimeve penale nuk është regjistruar asnjë çështje për kompleksin e vilave, që po ndërtohen në Selitë, me zhvillues shoqërinë “Aleksandros”.
Fshehja pas shifrave, sa metra katrorë u konfiskuan
Institucionet nuk bëjnë transparencë as sa metra katrorë u konfiskuan si pasojë e këtij ligji.
As Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk është në gjendje të japë të dhëna, por sugjeron që t’i referohemi vendimeve të publikuara në faqen zyrtare, në pikën 1 të çdo vendimi.
Pas hulumtimit të vendimeve të konfiskimit, të publikuara në faqen e AZHT-së, rezulton se nga 25 vendime konfiskimi, vetëm 10 prej tyre e kanë të përcaktuar sipërfaqen që do të konfiskohet. Për këto 10 vendime sipërfaqja e konfiskuar përllogaritet të jetë 11,628.66 m2, ndërsa në 15 vendime të tjera konfiskimi thuhet vetëm se kanë ndërtuar mbi 10% të lejes ndërtimore, duke e bërë pra të paqartë sipërfaqen e konfiskuar si pasojë e këtij ligji.
Aktualisht, ndërtimet e konfiskuara me vendim të KKT-së kanë mbetur thjesht kantiere të rrethuara me shiritin e policisë, ku nuk punohet.
Vetëm Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dha një përgjigje të vagullt, që ka të bëjë me numrin e ndërtimeve të dërguara për konfiskim pranë KKT-së.
“Nga inspektimet e bëra dhe në zbatim të VKM-së, IKMT ka përcjellë propozimin për konfiskim për 25 objekte, ndaj të cilave nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) është marrë një vendim për secilin objekt”, – thotë IKMT në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania-n.
Por, nëse Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka evidentuar 25 objekte problematike me disa kate shtesë në tejkalim të lejes, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka firmosur vetëm 15 vendime për konfiskim, duke e bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me to. Por, edhe për to vendimmarrja nuk është përfundimtare, pasi ende nuk është zgjidhur çështja e pronësisë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK), pas ankesës te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, deklaroi se procesi “ka ngecur”, për shkak se Sekretariati teknik i KKT-së nuk e ka lëshuar ende certifikatën e përdorimit të pronësisë, që do të përcaktojë përqindjen e pronësisë së zhvilluesit dhe atë të shtetit. Aktualisht, në Kadastër mbi këto prona vihet vetëm një shënim, që ka vendim konfiskimi.
“Nga KKT janë përcjellë drejt ASHK 15 vendime për konfiskime për interes publik. Këto vendime në fazën aktuale kanë karakter informues, pasi ende nuk janë përfunduar të gjitha procedurat përkatëse nga KKT për lëshimin e certifikatës së përdorimit, si për objektin konform lejes, ashtu edhe për pjesën e konfiskuar”, – thotë Kadastra.
Ndërtimet pa leje u shitën
Nga një verifikim në kantieret e këtyre kompanive shumica e apartamenteve janë shitur që në gropë.
“Ka shumë pak hyrje të pashitura dhe metri katror fillon nga 1.600 euro për banesat që janë nga veriu. E njëjta gjë edhe për objektet rreth e rrotull, shumica janë shitur që në gropë”, – thonë punonjësit e administratës së njërës prej kompanive, që po ndërton ngjitur me “Xheluks”.
E njëjta situatë verifikohet edhe në objektin e konfiskuar në rrugën “Myslym Shyri”, i ndërtuar nga “ArbTrans 2010”, ku deri në vitin 2018 ka qenë administrator edhe Arben Maloku, një zyrtar i Partisë Socialiste, që ka drejtuar për disa vite Njësinë Administrative të Zall-Herrit. Në këtë objekt janë 2.700 m2 të ndërtuara në tejkalim të lejes së ndërtimit.
“Të gjitha hyrjet janë shitur. Ndonjë hyrje, që ka mbetur pa u shitur, është shumë e kërkuar”, – thotë gjatë një telefonate një nga personat në lidhje të ngushtë me ndërtuesin.
Edhe pse është i rrethuar me shiritin e verdhë të konfiskimit, personi sqaron se banorët kanë blerë me 2.500 euro m2 në këtë objekt, ndërsa një garazh kushton rreth 40.000 euro.
E njëjta situatë ndodh me disa nga objektet e konfiskuara, të cilat, edhe pse janë të bllokuara, vazhdojnë të jenë të listuara për shitje nga kompanitë e real estate.
Disa nga pronat e shtrenjta nën sekuestro janë hedhur për shitje së fundmi me një çmim mesatar prej 1.600 eurosh metri katror.
Kontratat e shitjes së apartamenteve që në gropë ishin argumenti që përdori në gjykatë subjekti “Sallillari”, i cili e kundërshtoi vendimin e konfiskimit. Ai dorëzoi në gjykatë 16 kontrata shitjeje pa përfunduar ndërtimi. Megjithatë, gjykata i rrëzoi pretendimet e “Salillarit”, duke vendosur në favor të qeverisë dhe duke lënë në fuqi vendimin e konfiskimit të godinës së ndërtuar pa leje.
Çfarë do të ndodhë me këto kate pa leje, që janë paguar që në themel, pra janë shitur? Asnjë prej institucioneve nuk di të japë një përgjigje, por e delegon përgjegjësinë.
Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Brendshme dhe IKMT e shmangën përgjigjen se çfarë do të ndodhë me banorët që kanë blerë në këto godina, duke u justifikuar se “nuk ishte kompetencë e tyre”.
Ndërkohë që Agjencia e Zhvillimit të Territorit ia delegon përgjegjësinë Ministrisë së Financave, kjo e fundit thotë se këtë kompetencë e ka IKMT.
Edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës zhvishet nga çdo përgjegjësi, kur pyetet, nëse ndonjë pronë e tillë është hipotekuar.
Parablerja, në favor të ndërtuesve
Edhe pse qeveria thotë se vendimi u mor për të frenuar ndërtimet pa leje, në fakt VKM-ja iu jep mundësi ndërtuesve që ta para-blejnë ndërtimin e bërë pa leje me çmimin e tregut. Çmimi për metër katror, deklaroi kryeministri, Edi Rama, dhe zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, do të përcaktohej nga shteti dhe mbi të do të vendosej edhe një koeficient.
Me sa duket, këto janë vetëm plane në letër, pasi qeveria hesht dhe nuk bën transparencë se sa janë çmimet për metër katror, të caktuara prej tyre deri më tani. Të gjitha institucionet e pyetura mohojnë të kenë kompetencë mbi këtë çështje.
Ministria e Financave thotë se aktualisht po shqyrton 4 kërkesa të bëra nga ndërtuesit për t`i para-blerë ndërtimet e tyre, por ende nuk ka asnjë vendimmarrje.
“Ka vetëm 4 kërkesa për para-blerje, që janë në proces shqyrtimi, pa vendimmarrje, sepse pritet dokumentacioni nga kërkuesi dhe nga AZHT”, – përgjigjet Ministria e Financave.
“Mungon transparenca, institucionet nuk flasin, ndërsa çmimi i para-blerë është proces negocimi midis tyre dhe injorohet tregu”, – sqaron eksperti i ekonomisë, Preçi, i cili e sheh si favorizim mundësinë e para-blerjes.
Në harkun kohor të 11 viteve janë proceduar penalisht për ndërtim pa leje 13 mijë qytetarë, që ndërtonin për strehim, ku numri më i madh është në Tiranë.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, për periudhën 2012-shtator 2022 për veprën “Ndërtim i paligjshëm” janë marrë të pandehur 8.940 persona, nga të cilët 5.965 janë dënuar.
Por, ndryshe nga forca e ligjit, që ndëshkon ata që ndërtojnë pa leje për qëllime strehimi, ndërtuesit, që i kanë shkelur lejet për qëllime fitimi, përkëdhelen nga ligji, duke iu dhënë mundësinë e parablerjes.
Është kjo arsyeja pse ekspertët mendojnë se kjo VKM ka karakter diskriminues, duke favorizuar biznesmenët që ndërtojnë me qëllime fitimi.
“Qartësisht me këtë VKM krijohet standard i dyfishtë. Ai që ndërton për efekt fitimi ka mundësi që ta para-blejë ndërtimin pa leje me kosto minimale, ndërsa qytetari, që ka ndërtuar për strehim, arrestohet”, – shprehet avokati Adriatik Lapaj.
“Ekzekutivi ka favorizuar grupin e ndërtuesve të paligjshëm për qëllime fitimi, në vend që të favorizonte grupet sociale, që kanë ndërtuar për qëllime strehimi vetjak apo të familjes së tyre”, – thotë një tjetër jurist, Gëzim Allaraj.
Sipas ekspertëve, duke iu dhënë mundësinë e parablerjes shteti, jo vetëm që po iu ligjëron diçka të paligjshme, por edhe po iu shton fitimet ndërtuesve.
“Ndërtuesit do të parapëlqejnë parablerjen e këtyre kateve, sepse kështu maksimizojnë më mirë ndërtesën, shitjet dhe fitimet e tyre”, – thotë Arben Malaj, i cili sugjeron se në fakt kjo pronë mund të ishte përdorur për qëllime të ndryshme, përfshi edhe ato sociale, ku nënkupton qendra kulturore, jo thjesht shtëpi sociale
Në pikën 10 të vendimit 589 për konfiskimin e ndërtimeve pa leje thuhet se, fondet nga parablerjet e ndërtimeve pa leje do të depozitohen në Thesarin e Bankës së Shqipërisë.
Edhe kryeministri, Edi Rama, pas zbatimit të vendimit për konfiskimet, deklaroi se, fondet, që do të sigurohen nga kjo nismë, do të depozitohen në Thesarin e Bankës së Shqipërisë dhe do të përdoren për shpronësimet. Por, duket se edhe ky është një premtim në erë.
Banka e Shqipërisë, e pyetur nga INA MEDIA për fondet e depozituara pranë saj, përgjigjet se deri më tani nuk është hapur asnjë degë Thesari për këtë objektiv.
“Dëshirojmë t`ju informojmë se Banka e Shqipërisë nuk disponon një llogari specifike, të hapur për këtë qëllim”, – thotë BSH.
Ekspertët e shohin me dyshim para-blerjen, pasi, sipas tyre, ajo i hap rrugë ligjërimit të parave të pista.
“Problemi i pastrimit të parave është evident. Më të interesuar se askush tjetër janë eksponentë të krimit të organizuar kombëtar dhe ndërkombëtar, por edhe një numër zyrtarësh, që kanë arritur të përfitojnë pará përmes keq-menaxhimit të pushtetit dhe gjobave që i vënë biznesit përmes korrupsionit”, – thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike.
Rrezikun nga paratë e pista e paralajmëron edhe sipërmarrësi Zef Shtjefni. Sipas tij, pikërisht këto pará kanë ndikim në shtrenjtimin e banesave, pasi ndërtuesit nuk kanë qëllim parësor shitjen e tyre, por pastrimin e parave.
“Afro 20% ndërtohet me pará të zezë, të cilët, pasi i kanë kthyer në ndërtim paratë, nuk kanë nxitim t`i shesin, por presin çmime akoma më të mira. Dhe e fundit, rinia shqiptare, me rrogat që merr sot, nuk arrin të blejë një 1+1 për 30 vjet, – thotë sipërmarrësi Shtjefni, i cili sqaron se, – çmimet e larta vijnë, edhe sepse 40% të apartamenteve i posedojnë pronarët e trojeve, të cilët nuk taksohen”.
VKM-ja kontroverse e qeverisë përplaset me Kodin Penal, që parashikon ndëshkimin e shkelësve me gjobë, me burg apo edhe me konfiskim. Sipas ekspertëve, VKM-ja bie ndesh edhe me vetë Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, pasi në nenin 52 të këtij ligji janë të përcaktuara ndëshkimet për ndërtimet pa leje.
“Referuar nenit 116 të Kushtetutës, VKM-të duhet në çdo rast të mos kenë përplasje me aktet më sipër tyre, pra me ligjet dhe kodet. Parë në këtë këndvështrim, sa kohë Kodi Penal e ka klasifikuar ndërtimin pa leje si vepër penale, çdo ndërhyrje me akte më të ulëta krijon probleme kushtetuese”, – sqaron avokati Adriatik Lapaj.
Juristi Gëzim Allaraj thotë për INA-n se ky vendim i qeverisë bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.
“Ekzekutivi nëpërmjet këtij vendimi ka shkelur haptazi sanksionet penale, të cilat i tejkalon, edhe pse kanë fuqi të posaçme, juridike dhe më të lartë se aktet administrative”, – thotë Allaraj.
Ndonëse kryeministri Rama akuzoi publikisht se, ndërtimet pa leje në Tiranë po mbroheshin nga njerëz me uniformë dhe kërkoi ndëshkim me dorë të hekurt të atyre që mbyllën sytë për lejimin e ndërtimit të mijëra metrave katrorë pa leje, janë ndëshkuar vetëm 3 policë.
“Në total, 3 punonjës policie janë ndëshkuar me masë disiplinore “Përjashtim nga policia” dhe 1 punonjës policie është ndëshkuar me masë disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 2 vjet”, pasi dyshohet se kanë lejuar ndërtimin në kundërshtim me ligjin”, – bën me dije Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Në një përgjigje të datës 24 nëntor 2022, Policia e Shtetit sqaron se kanë marrë masa shtesë, si rekomandimi për tërheqje vëmendjeje, me qëllim ndërgjegjësimin e punonjësve të policisë për punë profesionale të shtuar në drejtim të moslejimit të ndërtimeve në kundërshtim me ligjin.
“Shumica e masave disiplinore si pasojë e dyshimeve për lejim të ndërtimeve të paautorizuara nga organet kompetente janë në Komisariatin e Policisë Nr. 1, Tiranë. Për çdo rast materialet janë referuar në prokurori për kryerjen e veprimeve të mëtejshme”, – thotë policia.
Ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se ka dërguar në prokurori 4 referime penale, por asnjëri prej tyre nuk i përket Tiranës.
“Referimet janë kryer: 2 raste në Prokurorinë e Vlorës; 1 rast në Prokurorinë e Elbasanit dhe 1 rast në Prokurorinë e Shkodrës”, – përgjigjet AMP.
Ndryshe nga policia, nuk ka asnjë inspektor të IKMT-së të larguar për këto abuzime. Po ashtu, asnjë nga institucionet e pyetura nuk jep përgjigje për vlerën e gjobave të vendosura ndaj shkelësve, por të gjithë ia delegojnë njëri-tjetrit.
Ritmi galopant i ndërtimeve
Shqipëria po përballet me një bum ndërtimesh. Sipas të dhënave të INSTAT-it, që prej vitit 2018 e deri në fund të vitit 2022 janë dhënë 6.065 leje ndërtimi, e përkthyer kjo në mbi 10 milionë metra katrorë ndërtim në total.
Veçanërisht Tirana po përjeton betonizimin më të madh, pasi në 5 vitet e fundit ajo është shtuar me mbi 5.9 milionë metra katrorë.
Por, pavarësisht ritmit galopant të ndërtimeve, Tirana renditet ndër qytetet më të shtrenjta sa i përket blerjes së një banese. Banka e Shqipërisë njoftoi se, në 6-mujorin e parë të vitit 2022 çmimet e banesave në rang vendi u rritën me 39.2% në raport me vitin 2021. Shtrenjtimi më i madh është regjistruar në Tiranë me një rritje deri në 40% dhe në bregdet, ku çmimet u rritën deri në 60%.
“Për sa i përket vitit 2023 nuk mendoj se shqiptarët do të blejnë më lirë se në vitin 2022. Nuk po blejnë njerëzit e thjeshtë apo familjarët. Janë pará nga jashtë që vijnë e po blihet në Tiranë”, – shprehet eksperti i tregut imobiliar, Ervin Demirxhiu.
Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.
Marrë nga INA Media