28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Mbi pagat e Gjykatës Kushtetuese!

Jorida Tabaku

Prej disa javësh në kuvendin e Shqipërisë është depozituar një kërkesë e qeverisë shqiptare, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë, që kërkon rritjen e pagave për Gjykatën Kushtetuese. Një kërkesë e pakuptimtë duke pasur parasysh që kjo e fundit nuk është aspak një institucion në varësinë e qeverisë (aq më pak Ministrisë së Drejtësisë) dhe që mund të kishte ardhur në një rrugë komplet tjetër.

Një kërkesë që vjen ndërsa në kuvendin e Shqipërisë në ndërkohë ka një paketë ndryshimesh ligjore që pret për të plotësuar dhe mbushur disa boshllëqe që sistemi i ri i drejtësisë ka nevojë. Ndryshime të propozuara nga institucionet e reja të krijuara dhe partnerëve tanë që kanë investuar në Reformën në Drejtësi. Megjithëse institucionet në pikat e tyre për ndryshime kanë paraqitur dhe rritje pagash, Gjykata Kushtetuese në asnjë shkresë apo kërkesë të saj gjatë debateve mbi ndryshimet në fjalë nuk ka ngritur këtë shqetësim.

Me pak fjalë kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë në emër të Gjykatës Kushtetuese për rritje page për anëtarët e kësaj gjykate nuk ka lidhje me paketën e ndryshimeve ligjore për Reformën në Drejtësi. Janë dy gjëra pa asnjë pikëlidhje me njëra tjetrën. Për ndryshimet ligjore të Reformës në Drejtësi jam plotësisht dakord dhe në mbështetje pasi ruan parimet e e një sistemi të drejtë vleresimi për të gjithë gjygjtarët dhe duke pasur parasysh dhe vështirësinë e tyre në punë.

Po ku është problemi në lidhje me propozimin e qeverisë që kërkon t’i rrisë pagat Gjykatës Kushtetuese? Në qershor të 2023 në fund të sesionit, parlamenti i Shqipërisë votoi për rritjen e pagave në gjithë hierarkinë shtetërore duke nisur nga kryetari i shtetit presidenti, parlamenti dhe padyshim edhe sistemi drejtësisë. Ndryshime që preknin të gjithë hierarkinë shtetërore brenda formulës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe interpretimi Gjykatës Kushtetuese.

Tani është e qartë që këto ndryshime për rritje të pagës së Gjykatës Kushtetuese me propozim të qeverisë nuk kanë asnjë lidhje me Reformën në Drejtësi dhe cënojnë jo vetëm pavarësinë e institucioneve të drejtësisë por edhe logjikën e një sistemi hierarkie page që kanë këto institucione.

Së pari, pavarësia institucionale. Si institucion kushtetues, Gjykata Kushtetuese i dorëzon të gjitha kërkesat për buxhet në komisionin e ligjeve në parlament. Në teori nuk duhet të ketë varësi nevoje me asnjë institucion tjetër. Megjithëse GJK ka një marrëdhënie të qartë me Kuvendin ajo prapë ka vendosur t’i bëjë një kërkesë Ministrisë së Drejtësisë, pra ekzekutivit. I ka kërkuar qeverisë që t’i kërkojë kuvendit që t’i rritet paga anëtarëve të GJK. Kështu, qeveria që po propozon t’i rriten pagat Gjykatës Kushtetuese, duke cënuar rendë si pavarësinë por dhe balancën e pushteteve.

Së dyti, drejtësia e vendosjes së pagave. Reforma në drejtesi (ajo që i tundin flamurin sa herë i duhet) ka krijuar SPAK/GJKKO, për hetime/gjykime të korrupsionit e krimit të organizuar. Kjo gjykatë është ajo e cila për momentin po përballet me vendime që kanë lidhje me korrupsionin qeveritar, me krimin e organizuar e duke shënjuar rezultate që pak i kishin menduar.

Ato janë gjykatësit më të kontrolluar e monitoruar. Duke pasur këtë situatë kaq komplekse dhe mbi të gjitha dhe hierarkinë e pagave në këto institucione duket e padrejtë që Gjykata Kushtetuese të kërkojë vetëm për veten e saj përmes Ministrisë së Drejtësisë rritjen e pagave me 100% më të larta se sa gjyqtarët e GJKKO. Kjo është pandershmëri dhe mungesë serioziteti pasi kështu prishen të gjitha parimet me te cilat është ndërtuar reforma në drejtësi.

Të mos këndojmë kot këngën e kësaj reforme e cila në këtë rast e shkel atë që u vendos; apo dhe të tundim kot flamurin e partnerëve euro atlantikë që në këtë rast as e kuptojnë e as dinë çfarë po ndodh!

E thjeshtë: GJK është e pavarur e duhet të vazhdojë të jetë e pavarur! Pavarësinë e saj e dëmton në imazh dhe jo vetëm shndërrimi i saj në një aneks shtesë të Ministrisë së Drejtësisë. Por edhe hiletë e ulëta politike që thyejnë hierarkinë!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *