27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Me detyrim/ Bizneset afat deri në 20 tetor për të depozituar certifikatën e pronësisë ose kontratën e qirasë të selisë

Apartamentet e dhëna me qira për biznes, por nuk janë deklaruar si të tilla, tashmë do të hyjnë në regjim tatimor.

Brenda datës 20 tetor, bizneset duhet të deklarojnë pranë administratës tatimore statusin e pronësisë apo kontratën e qirasë të ambientit ku ushtrojnë aktivitetin ekonomik. Administrata tatimore u ka dërguar një letër bizneseve duke u rikujtuar këtë detyrim, pasi në të kundërt do të përballen me penalitete.

Detyrimin për të depozituar certifikatën e pronësisë së zyrës ose kontratën e qirasë do ta kenë edhe bizneset e vogla me xhiro nën 14 milionë lekë në vit përfshirë profesionet e lira. 

Depozitimi apo përditësimi i këtyre të dhënave, nga llogaria personale ne e-filing, duhet të plotësohet nga çdo tatimpagues, pra nga çdo NIPT, si për adresen kryesore ashtu edhe për ato sekondare. Tatimpaguesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës që e vërteton deklarimin siç është dokumenti i pronësisë, kontrata e qirarsë etj.

Sipas tatimeve, ky informacion shërben për përllogaritjen e saktë të Tatimit në Burim si dhe krijimin e mundësisë për parambushjen e Deklaratës së të ardhurave personale, për individët subjekt deklarimi.

Por nga ana tjetër është edhe një metodë e tërthortë për të “shënjestruar” ato apartamente që janë dhënë me qira për njësi biznesi por nuk janë deklaruar të tilla nga pronarët e tyre, me qëllim shmangien e tatimit mbi qiratë, i cili është në nivelin 15 %.

Duke qenë se tashmë bizneset do të jenë të detyruara të bëjnë këtë deklarim dhe do të duhet të kenë kontrata të rregullta me pronarët e këtyre njësive, automatikisht ato do të përfshihen në sistemin tatimor.

Qeveria parashikon që të ardhurat nga tatimi mbi qiratë të kenë një rritje progresive nga viti në vit, ku nga 487 milionë lekë të projektuara në vitin 2024, të kapërcejnë në 1 miliardë lekë në 2025, për të arritur në 1.5 miliardë lekë në 2027-ën.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *