Ministria e Financave njoftoi se ka çelur aplikimet për punonjësit e administratës publike që do të përfitojnë kredi me interes zero për blerje banese.
“Nisin sot, datë 16 shtator 2023, aplikimet për punonjësit e administratës publike që përfitojnë nga programi i kredisë së lehtësuar për blerjen e banesës. Ministria e Financave dhe Ekonomisë njofton se sistemi i aplikimit për këtë program tashmë është finalizuar dhe ky shërbim mundësohet që prej ditës së sotme në portalin e-Albania, në linkun e mëposhtëm:
https://e-albania.al/ealbaniaservices/useservice.aspx?service_code=15809,” njoftoi MF përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas ministrisë, numri i përfituesve për vitin 2023 do të jetë 300 në total, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave për tre kategori. Më konkretisht do të përfitojnë 100 mjekë, 100 punonjës të policisë së shtetit dhe 100 ushtarakë të Forcave të Armatosura.
Programi i strehimit social për kreditë e lehtësuara për blerjen e banesës për punonjësit e administratës u bë i mundur falë ndryshimeve në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social” të cilat u miratuan nga Kuvendi i Shqipërisë në qershor 2023. Këto kredi do të përfitohen me interes 0% për kategoritë e mësipërme.
Në zbatim të këtyre ndryshimeve ligjore, Këshilli i Ministrave miratoi dhe aktet nënligjore përmes dy vendimeve të posaçme, ku përcaktohen kuotat dhe procedurat që duhet të plotësohen për përfitimin e kredive.