27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Milan-Inter rekord/ 10 mln euro arkëtime, shqiptarët në vijën e parë

Mbi 2 milionë tifozë nga e gjithë bota kanë klikuar në faqen zyrtare të Milanit duke tentuar të blejnë një biletë për gjysmëfinalen e Champions League kundër Interit. Të dhënat janë bërë publike nga La Repubblica, e cila shpjegon se nuk do të mjaftonin as 26 stadiume si ai i San Siros për të plotësuar të gjitha kërkesat e spektatorëve për të parë Euroderbin.

Vetëm 72 mijë tifozë e kanë patur fatin të sigurojnë një biletë, aq sa kapaciteti i lejuar i stadiumit, të cilët kanë sjellë në arkën e klubit kuqezi mbi 10 milionë euro. Ky është një rekord i ri, që kalon 9.1 milionë eurot e arkëtuara nga Milan-Tottenham, që u luajt në shkurt të këtij viti.

Por me shume gjasa rekordi i arkëtimeve në një ndeshje futbolli në Itali pritet ta ketë jetën e shkurtër. Në ndeshjen e kthimit, që zhvillohet pas një jave, Interi pritet të arkëtojë më shumë për shkak se klubi zikaltër ka vendosur ccmime më të lartë biletash për të asistuar në ndeshjen më të pritur të vitit. Me pak fjale një sfidë brenda sfide ajo e biletave.

Shqiptarët në vijën e parë

Edhe publiku i pranishëm sot në mbrëmbje në Meazza do të jetë një delegacion ndërkombëtar nga 124 vende të ndryshme të botë. Në majën e listës së të pranishme për nga kombësia gjenden zvicerianët, maltezët, izraelitët, francezët, gjermanët, shqiptarët dhe belgët. Tifozë nga vende të huaja që nuk druhen nga shpenzimet përballë kësaj ngjarje të jashtëzakonshme të futbollit europian.

Milan-Inter është më shumë se një gjysmëfinale. Dy klube rivale nga i njëjti qytet, dy skuadra më histori të lavdishme, të cilat qëndrojnë në majën e futbollit botëror, përplasen për raundin e parë të 180 minutave që do të përcaktojnë se kush do të jetë finalistja e Champions League. Por pavarësisht rezultatit të kësaj sfide, një verdikt është dhënë sakaq. Sot Milano do të jetë kryeqyteti botëror i futbollit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *