Rruga e re Korçë-Ersekë me gjatësi 35 kilometra pritet të inaugurohej në qershor të vitit të shkuar, por ndërsa të gjitha afatet janë shkelur, aksi jo vetëm që nuk ka përfunduar, por në një segment të tij të sapo ndërtuar, ka pësuar shembje masive duke e bërë atë të pakalueshëm.
Dëmtimi i madh i rrugës ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Qarrit.
Rruga dytësore Korçë–Ersekë është kthyer në një greminë, e cila po gllabëron miliona euro nga buxheti i shtetit. Kosto ka shkuar 60 milionë euro për një rrugë e kategorisë C një karrexhatë me të paktën një korsi lëvizjeje për sens, 35 kilometra e gjatë dhe vetëm 8,5 metra e gjerë.
Punimet për këtë aks nisën në qershor të 2013. Tenderi për lotin e parë me gjatësi 17,6 kilometra, u fitua nga kompania A.N.K. me një ofertë prej rreth 17 milion euro.
Pas disa vitesh zvarritje kompania nuk i realizoi dot punimet dhe në 2017 u hap një tjetër tender prej 4 milionë eurosh për punime shtesë që u fitua po nga A.N.K.
Edhe tenderi i 2020 për pjesën e parë të lotin 2 u fitua po nga A.N.K, kompani në pronësi të Agim Kolës vëllait të ish-deputetit socialist Ndue Kola.
Kësaj radhe vetëm për 4 kilometra rrugë të gjerë maksimumi 8,5 metra u shpenzuan plot 20 milion euro.
Rruga
Rruga Korçë Ersekë është e ndarë në dy lote. Loti i parë me gjatësi 18 kilometra u tenderua nga ish qeveria e Partisë Demokratike për një kosto totale prej 15 milionë eurosh. Ndërsa loti i dytë me gjatësi 17 kilometra u tenderua nga qeveria aktuale me një vlerë prej 5 miliardë lekësh ose gati 48 milionë euro.
Qeveria e tenderoi lotin e dytë të rrugës Korçë-Ersekë në vitin 2020 duke e ndarë atë në dy pjesë. Pjesa e parë me gjatësi 4.15 kilometër tenderua tek kompania A.N.K e zotëruar nga familja e ish deputetit socialist Ndue Kola, me vlerën 2.352 miliardë lekë ose 22.4 milionë euro me kursin aktual.
Pjesa e dytë me gjatësi prej 12.85 kilometra u fitua sërish nga e njëjta kompani me vlerë me vlerë 20.6 milionë lekë ose sa 99.9 për qind e fondit limit të përcaktuar.
Me këto dy tendera loti i dytë dhe rrjedhimisht edhe e gjitha rruga duhet të kishte përfunduar. Por qeveria e shtoi kontratën për pjesën e dytë edhe me 5 milionë euro të tjera përmes procedurës së modifikimit të kontratës. Për pasojë kostoja e rrugës me gjatësi totale 35 kilometra tashmë arrin në gati 65 milionë euro.