Të ardhurat që Shqipëria arkëton nga hapësira ajrore shënuan një rekord historik vitin e kaluar duke arritur në 30 milionë euro. Të dhënat janë bërë publike nga Eurocontrol në raportin vjetor për industrinë e fluturimeve në Europë. (Kliko këtu për raportin).
Sipas raportit për shkak të rigjallërimit të fluturimeve, krahasuar me vitin 2021 të ardhurat që Shqipëria mbledh nga hapësira ajrore u rritën me 58 për qind nga 19 milionë euro që ishin në 30 milionë euro. Por pavarësisht se këto të ardhura i përkasin Albcontrol, ato mbahen të bllokuara në Bruksel nga biznesmeni italian Francesco Becchetti.
Bllokimi
Linjat e fluturimit që përdorin hapësirën ajrore të Shqipërisë paguajnë një tarifë fikse për çdo avion që kalon tranzit. Këto para shoqëritë ajrore i derdhin në llogarinë qëndrore të Eurocontrol në Bruksel. Ky i fundit më pas i shpërndan me frekuencë mujore tek entet publike ajrore të çdo vendi anëtar. Në rastin e Shqipërisë enti përkatës është Albcontrol. Por në dhjetor të vitit 2020 llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol u bllokua nga biznesmeni italian Francesco Becchetti. Që nga ai moment, Albcontrol nuk mund të tërheqë dot asnjë qindarkë nga të ardhurat e përdorimit të hapësirës ajrore të Shqipërisë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Eurocontrol nga dhjetori i 2020-ës deri në fund të vitit të kaluar shoqëritë ajrore kanë paguar 50 milionë euro në llogarinë e Shqipërisë në Eurocontrol. Kësaj shumë i shtohen dhe të ardhurat që Shqipëria ka fituar në këto katër muajt e parë të këtij viti. Të dhënat paraprake tregojnë se të ardhurat e Shqipërisë nga hapësira ajrore janë rritur ndjeshëm këtë vit për shkak të luftës në Ukrainë, e cila i ka orientuar korridoret e fluturimeve në hapësirat e tjera përfshirë atë të Shqipërisë. Sipas burimeve nga Albcontrol, për këtë vit këto të ardhura mund të arrijnë të paktën në 40 milionë euro duke fryrë edhe më shumë llogarinë që mban të bllokuar Francesco Becchetti.
Gjyqi
Pas fitimit të gjyqit në arbitrazh, që e dënoi Shqipërinë me 108 milionë euro gjobë plus interesat dhe shpenzimet administrative, vitin e kaluar biznesmeni italian iu drejtua Gjykatës Frankofone të Brukselit për të kërkuar konfiskimin e parave të Shqipërisë në Eurocontrol.
Në shkallën e parë, gjykata i dha të drejtë biznesmenit italian që të konfiskojë paratë, të cilat mbahen të bllokuara. Por menjëherë pas këtij vendimi, qeveria e Shqipërisë e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit. Ende nuk ka një datë të saktë se kur do të zhvillohet gjyqi i radhës, por nëse edhe Apeli do të vendosë në favor të biznesmenit italian, atëherë vendimi merr formë të prerë dhe ai do të konfiskojë të paktën 90 milionë euro nga Shqipëria.