27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Milionat që Beogradi po derdh në SHBA për lobim

Në nëntor të vitit 2019, Dhoma e Tregtisë së Serbisë nënshkroi një marrëveshje me kompaninë lobuese Yorktown Solutions me vlerë 600 mijë dollarë. Sipas dokumentave të depozituara në Departamentin amerikan të Drejtësisë, kompania lobuese do të ofronte këshillim strategjik për të promovuar marrëdheniet ekonomike mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Marrëveshja e parë kishte afat 1 vit. Sapo ajo mbaroi në nëntor të 2020-ës, palët lidhën një tjetër kontratë po me afat një vjeçar. Këtë herë Dhoma serbe e Tregtisë do t’i paguante 400 mijë dollarë të tjera Yorktown Solutions.

Më pas, në fund të vitit 2021 dhe atij 2022, marrëveshja u rinovua edhe dy herë të tjera. Për periudhën nëntor 2021-nëntor 2022, Dhoma serbe e Tregtisë pagoi 500 mijë dollarë, ndërsa për periudhën dhjetor 2022-nëntor 2023 ajo do të paguajë edhe 840 mijë dollarë të tjera. Në total janë 2 milionë e 3400 mijë dollarë.

Edhe pse e maskuar si një kontratë me natyrë ekonomike, në fakt marrëveshja mes Dhomës së Tregtisë së Serbisë kishte brenda saj edhe lobim politik tek zyrtarët amerikanë për llogari të Serbisë. Sinjalet e para se kontrata e Dhomës serbe të Tregtisë me Yorktoën Solutions, ishte në fakt lobim për llogari të Aleksandër Vuçic u shfaqën që në fillimet e saj.

Në maj të vitit 2020, Freedom House e degradoi Serbinë nga demokraci në një regjim hibrid. Qeveria serbe protestoi publikisht ndaj renditjes së Freedom House duke e quajtur atë të padrejtë. Por në periudhën maj- qershor 2020, në e-mailet e drejtuesve të Freedom House mbërritën në seri disa mesazhe që kërkonin takim me ta. Dërguesi i e-maileve ishte Yorktown Solutions.

Dërgimi i emaileve nga kompania lobuese dhe përpjekjet për të ndikuar në renditjen e Freedom House për indeksin e demokracisë ishin tregues i qartë se York Toën nuk po lobonte për qëllime vetëm ekonomike. Për disa ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare në Beograd kjo dëshmonte se në fakt lobimi ishte për llogari të regjimit të Vuçiç.

Përgjatë kësaj kohe, Yorktown Solutions ka informuar në vazhdimësi zyrtarë të lartë dhe anëtarë të kongresit në SHBA për zhvillimet në Ballkan përmes emaileve. Ndër emailet që kompania lobuese u ka dërguar zyrtarëve amerikane në vazhdimësi janë dhe ato me artikuj që u bëjnë jehonë deklaratave të kryeministrit Edi Rama për promovimin e nismës Ballkani i Hapur.

Kontrata mes Dhomës Serbe të Tregtisë dhe Yorktown Solutions rinovohet çdo vit me një kosto që varion nga 400 mijë deri në 800 mijë euro. E megjithatë ajo nuk ka qenë kanali i vetëm i milionave që Beogradi ka pompuar drejt SHBA-vë për lobim gjatë viteve të fundit.

Në Mars të vitit 2019, në Departamentin amerikan të Drejtësisë u shfaq një deklarim i kompanisë së fuqishme lobuese Cleary Gottlieb Steen & Hamilton LLP për një kontratë mes saj dhe Republikës së Serbisë. Marrëveshja nuk sqaronte detajet financiare se sa ishte vlera e saj, por objekti i saj ishte përfaqësimi i interesave të Serbisë tek zyrtarët e lartë të qeverisë amerikane për bashkëpunimin rajonal dhe çështjet që lidhen me Kosovën.   

Nënshkruese e kontratës për palën serbe ishte avokatja e shtetit të Serbisë Olivera Stanimiroviç. Pasi lajmi u publikua nga Zëri i Amerikës, qeveria e Serbisë mohoi që të kishte kontraktuar Cleary Gottlieb Steen & Hamilton LLP për shërbime lobimi në lidhje me Kosovën. Në Departamentin amerikan të Drejtësisë thuhet vetëm që marrëveshja ka zgjatur 6 muaj, nga Maji deri në Shtator të vitit 2019, por nuk ka asnjë detaj tjetër.

Pak ditë më parë, Intelligence Online, një nga mediat më prestigjoze në botë që gjurmon diplomacinë sekrete publikoi një raport me titull “Beogradi ndërton në heshtje afrimin me SHBA, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.” Makineria serbe e lobimit në SHBA po punon me kapacitet të plotë. A po e ndikon ajo qëndrimin e SHBA-ve në konfliktin Serbi-Kosovë? Zhvillimet dhe deklaratat e fundit politike i shtojnë edhe më shumë pikpëyetjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *