Nga Reporter.al
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një amendim të dytë të kontratës koncesionare për ndërtimin e rrugës së Arbrit, duke parashikuar si afat të ri të përfundimit të saj pranverën e vitit 2025.
“Kanë nisur procedurat për shtyrje e punimeve ndërtimore prej 20 muajsh vetëm për Tunelin e Murrizit,” tha MIE në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi për BIRN.
Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën ishte planifikuar që të përfundonte në prill 2022, por ministria e zgjati fillimisht me 17 muaj afatin për kompaninë koncesionare “Gjoka 87” për përfundimin e punimeve.
Pas skadimit të afatit të ri, tuneli i Murrizit është ende larg së përfunduari. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, shtyrja u përllogarit nga një inxhinier i pavarur dhe “nuk do të ketë implikime financiare për Autoritetin Kontraktor”.
Ndërtimi i rrugës prej 54 kilometrash që lidh Tiranën me Dibrën filloi në vitin 2018, pasi kompania “Gjoka Konstruksion” fitoi koncesionin me ofertën prej 33.6 miliardë lekësh. Deri në qershor të këtij viti, kompania mori pagesa me vlerë 13.4 miliardë lekë.
Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Por vepra kryesore e projektit, tuneli i Qafës së Murrizit, 3.8 kilometra i gjatë, është zëvendësuar nga një rrugë e ngushtë malore 8.8 kilometra.
Problemet e hasura me hapjen e këtij tuneli janë përdorur si justifikim i ministrisë për zgjatjen e kësaj kontrate 2 herë me 37 muaj në total.
Ministria i tha BIRN se kompania koncesionare i ka zbatuar afatet e grafikut bazë dhe atij të rishikuar të punimeve, por ajo e konsideron “konfidencial” raportin e vlerësimit teknik të Inxhinierit të Pavarur, duke iu referuar kontratës.
Për pjesën tjetër të punimeve në rrugë, MIE pretendon se ka kuantifikuar: 91.2% të realizimit fizik të punimeve dhe 83.1 % të realizimit financiar të tyre.
Ndërtimi i rrugës së Arbrit është përdorur nga kryeministri Edi Rama si një premtim elektoral për zonën e Dibrës që prej vitit 2013. Ai e inaguroi me bujë përfundimin e rrugës para zgjedhjeve të prillit 2021, duke premtuar se bashkë me tunelin e Murrizit rruga do të dorëzohej në prill 2022.