Ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, Anila Denaj, së bashku me të deleguarin e qarkut të Vlorës, Bledi Cuci, Kryetarët e bashkive të Vlorës dhe Selenicës, Ermal Dredha dhe Nertil Bellaj, prezantoi Skemën Kombëtare të Investimeve në bujqësi, për fermerët e qarkut të Vlorës.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj theksoi se aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi janë hapur që prej 30 Shtatorit. Kjo nismë e qeverisë shqiptare synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e këtij sektori.
Kemi mundësuar një fond prej 1.5 mld lekësh në formën e një granti prej 50% për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve, tha Denaj.
Të gjithë fermerët, të cilët kanë një NIPT fermeri, shoqëritë tregtare të angazhuara në këtë sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë, e cila do të jetë e hapur deri më 8 Nëntor.
Ndërkohë, pikat agro janë në dispozicion për të dhënë të gjitha shpjegimet e duhura për të gjithë pyetjet e fermerëve, për t’ju mundësuar nj ë process të lehtë dhe të suksesshëm.
“Është një Skemë Kombëtare, që vijon skemën e fillimit të vitit, të subvencioneve të drejtëpërdrejta dhe kështu kompleton një cikël të mbështjetjes financiare, që Qeveria Shqiptare ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm angazhon një numër të konisderueshëm punonjësish, por mbi të gjitha është një motorr i zhvillimit të ekonomisë tuaj familjare, ekonomisë së përgjithshme shqiptare dhe na bën krenar sot në 80 tregje elitare.” u shpreh Denaj në përmbyllje të fjalës së saj.
Ndërkaq, i deleguari i qarkut Vlorë, Bledi Çuçi theksoi se kjo skemë është një mundësi shumë e mirë për fermerët, duke u ofruar atyre mbështetje financiare për të rritur prodhimin dhe cilësinë e produkteve.
Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, shprehet se Skema Kombëtare e Investimeve, përveçse është një mundësi shumë e mirë që nuk duhet humbur për të rritur aktivitetin bujqësor dhe atë në akuakulturë, do të kontribuojë në rritjen ekonomike të zonës sonë.
“Ne kemi nevojë për projekte që sjellin zhvillim dhe përmirësim të kushteve të jetesës për fermerët,” tha Nertil Bellaj, Kryetari i Bashkisë së Selenicës, teksa shtoi “pikërisht kjo skemë është mundësi e shkëlqyer për të investuar dhe sjellë në jetë planet e menduara prej kohësh nga secili prej fermerëve”.
Skema Kombëtare e Investimeve vjen si një zgjerim i Skemës Kombëtare të Subvencioneve për të rritur mbështetjen për fermerët në sektorët prioritarë për zhvillimin dhe që kërkojnë më shumë vëmendje e mbështetje.