27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Miratohet ligji, kullat e sekuestruara do të shiten në ankand

Qeveria nuk do të njohë asnjë kontratë porosie apo blerje të qytetarëve në pallatet e sekuestruara si ndërtime pa leje, të cilat janë regjistruar në kadastër pas konstatimit të paligjshmërisë së objektit. Këshilli ministrave ka miratuar në mbledhjen e të mërkurës projektligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.

Sipas draftit, destinacioni i këtyre objekteve do të përcaktohet nga një komision i posaçëm shtetëror, i cili do të ketë në përbërjen e tij 9 amëtarë, përfaqësues nga Kryeministria, disa ministri dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Është ky Komision, i cili do të vendosë nëse objekti i sekuestruar do të mbahet nga shteti për nevojat e institucioneve publike, do të përdoret për qëllime të strehimit social apo do të shitet në ankand.

Në rastin e shitjes, qeveria ka bërë një ndryshim të minutës së fundit duke përcasktuar se të drejtën e parablerjes fillimisht e kanë pronarët e truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti pa leje. Nëse pronarët nuk duan ta blejnë sipërfaqen e ndërtuar mbi lejen, atëherë në radhën e dytë të blerjes janë qytetarët që kanë nënshkruar kontrata porosie me ndërtuesit. Nëse edhe këta nuk pranojnë ta blejnë, vetëm atëherë i vjen radha ndërtuesit.

Kur edhe ndërtuesi e refuzon blerjen, pallati i sekuestruar shitet në ankand publik sipas përcaktimeve të ligjit për ankandet. Vlera fillestare me të cilën prona del në shitje përcaktohet nga vlera e tregut që referohet nga INSTAT ose Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Nëse ankandi dështon, çmimi i tij në raundin e dytë nuk ulet, por mbetet sërish i njëjtë.

Pronarët dhe qytetarët

Në ligj, qeveria ka marrë përsipër të njohë të drejtat e pronarëve të truallit, vetëm për pjesën e objektit që është ndërtuar sipas lejes. Për shtesën në tejkalim të lejes, pronarëve të truallit nuk u njihet asnjë e drejtë, përveçse u ofrohet parablerja.

Në rastin e qytetarëve, të cilët kanë nënshkruar kontrata porosie më ndërtuesit dhe kanë paguar para për të porositur apartament, kjo kontratë do të njihet vetëm nëse është regjistruar në Kadastër përpara konstatimit të paligjshmërisë së objektit nga institucionet shtetërore.

Nëse është regjistruar pas konstatimit të paligjshmërisë, qytetarëve nuk u njihet asnjë pagesë. Po kështu, kur kontrata e porosisë është regjistruar përpara konstatimit të paligjshmërisë dhe sekuestrimit të objektit, qytetarëve u njihet si shpenzim vetëm pjesa proporcionale për të cilën janë kryer punimet nga ndërtuesi.

Për shembull, nëse qytetari ka paguar 100 mijë euro tek ndërtuesi për të porositur një apartament, por ndërtuesi e ka lënë objektin të papërfunduar, atëherë shteti do të njohë si pagesë të qytetarit vlerën e apartamentit të papërfunduar sipas vlerësimit që do të bëjnë ekspertët.

Nëse vlera e apartamentit të papërfunduar është më e ulët se pagesa që ka kryer qytetari, atëherë qeveria nuk mban asnjë përgjegjësi, por qytetari duhet t’i kërkojë mbrapsht ndërtuesit diferencën e parave. Për objektet e sekuestruara, por që nuk janë përfunduar ato do të financohen nga shteti deri në përfundimin e plotë sipas vendimit të marrë nga Komisioni.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *