29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

MTM: S’ka braktisje të bregdetit shqiptar nga kosovarët/ Turistët nga Kosova janë rritur me 25 për qind këtë vit

VMinistria e Turizmit raporton se shqiptarë e Kosovës vazhdojnë të vërshojnë drejt bregdetit shqiptar me ritmet më të larta të të gjitha kohërave duke hedhur poshtë zërat se liberalizimi i vizave i ka zhvendosur turistët e Kosovës drejt vendeve të tjera. Sipas të dhënave të qeverisë, Shqipëria ka shënuar një rekord të ri turistësh të huaj në 6 muajt e parë të këtij viti duke regjistruar në total 4.5 milionë turistë, rreth 1.2 milionë ose 34% më shumë se në gjysmën e parë të vitit 2023. Vetëm muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më tepër se qershori i vitit të kaluar.

Por nga cilat shtete kanë ardhur këta turistë?

Pavarësisht aludimeve të ditëve të fundit mbi një braktisje të mundshme të pushuesve nga Kosova, të dhënat më të fundit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit kanë treguar të kundërtën. Në gjysmën e parë të vitit rezulton se vendi ynë ka pritur 1.7 milionë shqiptarë nga Kosova, shifër që është rritur me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku numri i pushuesve nga Kosova ishte 1.3 milionë.

Pas shqiptarëve të Kosovës të cilët kryesojnë listën, është regjistruar gjithashtu një numër i lartë turistësh nga Italia, rreth 486 mijë në total, 132 mijë turistë nga Anglia dhe 130 mijë nga Turqia. Ndërkohë në muajt e fundit vërehet një interes i shtuar i vizitorëve nga Kina, Franca, Rumania dhe Holanda. Shifrat tregojnë një rritje me 131% të vizitorëve nga Kina, 93% të turistëve francezë, si dhe 92% më shumë turistë rumunë dhe holandezë.

Nga ana tjetër, 50 mijë turistë kanë ardhur nga Serbia, 37 mijë nga Spanja, 103 mijë nga Polonia dhe 81 mijë nga SHBA-ja.

Së fundmi, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, është shprehur se tani jemi në periudhën e pikut të flukseve dhe të gjitha strukturat e shtetit që marrin pjesë në mbarëvajtjen e sezonit turistik veror vazhdojnë koordinimin në bashkëpunim me operatorët turistikë për prezantimin sa më dinjitoz të ofertës shqiptare.

Deri në fund të këtij viti pritet që Shqipëria të vizitohet nga 14 milionë turistë, rreth 4 milionë më shumë se në vitin e kaluar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *