16 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Mungesa e fondeve rrezikon kujdesin shëndetësor në shtëpi për të moshuarit

Në vitin 2021, për herë të parë në Shqipëri, u pilotua një tipologji e re shërbimi në disa qendra shëndetësore në Fier dhe Dibër, i quajtur “Kujdesi Shëndetësor në Banesë” (KSHB). Ky shërbim u mundësua nga projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) me mbështetjen financiare të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Me ndihmën e projektit HAP, deri më tani janë përfshirë në kë skemë 120 qendra shëndetësore në 18 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, ndërsa periudha e pilotimit po mbyllet, organizata “Together for Life” ngre shqetësimin se Ministria e Shëndetësisë nuk ka parashikuar mjaftueshëm fonde për mbulimin e plotë të kostove të këtij shërbimi.

“Që prej vitit 2021, kur ka filluar pilotimi i shërbimit shëndetësor në banesa, dhe deri më sot, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka parashikuar asnjë fond të dedikuar për këtë shërbim, përveç mbulimit të pagave të stafit mjekësor që e ofron këtë shërbim,” thuhet në raportin e TFL-së.

“Kështu krijohet përshtypja se, deri tani, Ministria e Shëndetësisë ia ka ngarkuar barrën financiare donatorëve, konkretisht qeverisë zvicerane, nëpërmjet projektit HAP,” shton raporti.

Rreth 35% e personave mbi moshën 70 vjeç përballen me probleme të lëvizshmërisë, ndërsa kjo shifër rritet ndjeshëm për ata mbi 85 vjeç. Sëmundjet si artriti, osteoporoza, goditjet në tru dhe parkinsoni janë ndër shkaqet kryesore të palëvizshmërisë.

“Nga përllogaritjet e kryera nga programi ‘Shëndet për të Gjithë’ (HAP), vlerësohet se në Shqipëri rreth 15 mijë deri në 20 mijë pacientë të invalidizuar kanë nevojë për shërbim në banesë,” thuhet më tej në raportin e TFL.

Organizata thekson se megjithëse shërbimi shëndetësor në banesë po shtrihet në të gjithë vendin, mungesa e buxhetimit të qëndrueshëm nga Ministria e Shëndetësisë rrezikon cilësinë e shërbimit.

Kostot e transportit, mungesa e pajisjeve mjekësore dhe materialeve të nevojshme, si dhe ngarkesa e lartë e punës, janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen infermierët.

“Ngarkesa e punës për një infermier varion nga 15 deri në 100 pacientë në muaj për t’u vizituar në banesat e tyre, ndërsa shumë prej infermierëve duhet të mbulojnë vetë kostot e transportit dhe pajisjeve të nevojshme,” evidenton raporti.

Të dhënat e mbledhura nga fokus-grupet me infermierë dhe familjarë të të moshuarve tregojnë gjithashtu se pensionet e ulëta dhe varfëria i lënë të moshuarit pa mbështetje adekuate shoqërore dhe ekonomike.

“Pensionet, me gjithë rritjet e përvitshme, mbeten të ulëta dhe të pamjaftueshme për mbulimin e nevojave bazë të pensionistëve,” shkruhet në raport.

“Varfëria i bën të moshuarit të ndihen të përjashtuar nga shoqëria, gjë që rëndon më tej situatën e tyre ekonomike, sociale dhe shëndetësore, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm dhe nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga familjarët,” theksojnë autorët e raportit.

Rezultatet tregojnë gjithashtu se, përveç pamundësisë fizike, shumë të moshuar nuk mund të përballojnë financiarisht udhëtimet deri te qendrat shëndetësore.

“Sipas të dhënave të HAP, vetëm 8.9% e pacientëve të invalidizuar raportuan se mund të vizitonin qendrat shëndetësore pa ndihmë,” përfundon raporti.

BIRN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *