27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore Lajme nga vendi

Mushkonjat që pickuan ISHP-në

Në Shkurt të vitit 2019, Instituti i Shëndetit Publik shpalli një tender me objekt “Shërbimi i dezinsektimit për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë.” Tenderi ishte ndarë në 4 lote dhe kishte një fond total prej 133.3 milionë lekë, ose 1.2 milionë euro.  

Për dy nga lotet, ata me numër 2 dhe 3, tenderi u zhvillua në mars të vitit 2019. Në lotin 2, Instituti i Shëndetit Publik shpalli fillimisht fitues Akademia e Shëndetit Publik sh.p.k, ndërsa në lotin 3 u shpall fituese kompania NRG shpk.

Të dy lotet u ankimuan në KPP nga kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tender. Loti 2 u ankimua nga operatori ekonomik “Fatos Lashi” shpk, i cili në garë ishte renditur menjëherë pas kompanisë Akademia e Shëndetit Publik shpk që u shpall fituese. Në ankesën drejtuar KPP, “Fatos Lashi” kërkonte skualifikimin e ofertës së kompanisë Akademia e Shëndetit Publik shpk duke paraqitur argumentet e tij se pse kjo kompani nuk duhej të kualifikohej.

KPP e pranon ankesën dhe urdhëron Institutin e Shëndetit Publik, që të skualifkojë kompaninë Akademia e Shëndetit Publik. Normalisht, pas vendimit të KPP-së, Instituti i Shëndetit do të duhet të shpallte fitues, kompaninë e renditur menjëherë pas Akademisë së Shëndetit Publik. Por ISHP bëri një manovër.

Në rivlerësimin e ofertave pas vendimit të KPP-së, Instituti i Shëndetit skualifikoi ofertën e Akademia e Shëndetit Publik, por skualifikoi edhe atë të operatorit Fatos Lashi duke shpallur fituese kompaninë NRG. Dhe këtë manover e certifikoi më pas edhe KPP.

Loti tjetër ai me numër 3, u ankimua nga bashkimi i kompanive Air shpk dhe Truly Nolen. Këto kompani kishin ofruar çmimin më të ulët në garë, por ISHP i kishte skualifikuar duke shpallur fituese kompaninë me ofertën e tretë më të ulët, atë NRG. Pavarësisht ankimimit, KPP nuk e ndryshoi fituesin e lotit 3 dhe la në fuqi vlerësimin e ISHP. Rrjedhimisht të dy lotet u fituan nga kompania NRG.

Antikorrupsioni tek dera

Në maj, në zyrat e ISHP mbërrijnë strukturat antikorrupsion, që në atë kohë drejtoheshin nga ish ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Pas përfundimit të kontrollit, struktura antikorrupsion raportoi se kishte konstatuar shkelje të rënda në tenderin e dezinsektimit. Etilda Gjonaj rekomandoi publikisht shkarkimin e nëndrejtorit të ISHP, Genc Burazeri dhe disa drejtuesve të departamenteve në këtë institucion.   

Arsyet e furtunës që shkaktoi tenderi i dezinsektimit ishin në thelb të thjeshta. Komania Akademia e Shëndetit Publik ishte në pronësinë e një shefi sektori në ISHP të quajtur Dritan Bala. Ndërsa kompania NRG, që u shpall fituese e kishte punësuar dhe i jepte rrogë Dritan Balës, por edhe disa të afërme apo familjarave të zyrtarëve të ISHP.

Një pellg i madh me konflikt interesi që e detyroi antikorrupsionin të kërkonte furtunë në ISHP. Por teksa Etilda Gjonaj rekomandonte shkarkimin e zyrtarëve më të lartë të ISHP, në këtë institucion biznesi vazhdonte si zakonisht.

Prapë NRG

Në korrik dhe gusht po të vitit 2019, ISHP zhvilloi tenderin për dy lotet e tjera. Ata me nr 1 dhe 4. Në të dy lotet u shpall fituese sërish kompania NRG, e cila zotërohet nga dy ortakë, Flutura Nuredini dhe një shtetas italian që quhet Marco Geniço.

Në lotin 1 oferta e NRG ishte e 5-ta më e lartë. Ndërsa në lotin 4 ajo ishte oferta më e lartë, gati dy herë më shtrenjtë se oferta me çmimin më të ulët. Edhe pse të dy tenderat u ankimuan nga kompanitë që kishin paraqitur ofertat më të ulëta, KPP la në fuqi vlerësimet e ISHP-së.

Si rezultat, NRG u shpall fituese në të katra lotet e tenderit “Shërbimi i dezinsektimit në zonat bregdetare dhe urbane”, për zonat Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë,” duke përlarë 1.2 milionë euro.

Me gjithë denoncimet e antikorrupsionit dhe Etilda Gjonajt, ISHP dhe NRG vazhdonin biznesin me njëra tjetrën. ISHP i jepte kompanisë para publike, kjo e fundit punësonte zytarët e këtij institucioni dhe familjarët e tyre.

Tani çështja ka shkuar në SPAK. Pak ditë më parë, prokuroria e posaçme thirri ish drejtuesen e ISHP, Silva Bino për këtë çështje. Ndërkohë gjatë ditëve në vijim ka thirrur dhe ish drejtues të tjerë të ISHP.

Po tenderat e Covid?

Ai i mushkonjave është vetëm një nga paçavuret e ndodhura me tenderat e shëndetësisë në Shqipëri. Abuzimet ne tenderat e këtij sektori janë masive.

Dy vjet më parë, SPAK mbylli e “fali”, ministren e shëndetësisë për tenderat emergjentë për blerjen e respiratorëve dhe kiteve të testeve Covid, edhe pse pranoi publikisht se ato ishin blerë me vlerë deri në 6 herë më të lartë se çmimet e tregut. Pas ping pongut nga SPAK dhe prokuroria e Tiranës, hetimet u mbyllën dhe çështja u pushua.

Por ata të respiratorëve ishin vetëm një nga procedurat e prokurimit. Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP prokuruan dhjetra milionë euro me tenderat sekretë duke shfrytëzuar emergjencën e pandemisë. Deri më sot nuk është hetuar asnjë prej tyre edhe pse indiciet për abuzime janë të shumta.     

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *