28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Napoli përzë njeriun e dytë më të pasur të botës bashkë me jahtin e tij

Autoritetet Portuale të Napolit nuk kanë lejuar njeriun e dytë më të pasur të botës, që të ankorojë jahtin e tij në portin e Mergellinas për shkak të rregullave të reja të sigurisë.  

Bernard Arnault multimiliarderi francez, kishte zgjedhur qytetin jugor italian si ndalesën e radhës për pushime me jahtin e tij 105 metër të gjatë, i cili përmban një pishinë me fund xhami dhe kinema të jashtme. Por sapo ka tentuar të ankorohet në port, Arnault ka marrë një “jo” të prerë si përgjigje nga autoritetet.

Bernard Arnault, pasuria e të cilit llogaritet në 220 miliardë dollarë aktualisht nuk është mësuar që ta refuzojnë. Mediat italiane shkruajnë se përgjigja e prerë nga autoritetet napoletane e ka lënë tërësisht të zhgënjyer miliarderin, i cili është detyruar të kthehet mbrapsht dhe të lundrojë për në një qytet tjetër. Sipas tyre, ndalimi erdhi si një surprizë për manjatin e modës, i cili më parë ka mundur të ankorojë jahtin në këtë port.

Duke filluar nga ky vit, për shkak të rregullave të reja të sigurisë, porti më i madh turistik i Napolit nuk lejon ankorimin e anijeve më të gjata se 75 metra. Corriere della Sera raportoi se manjati i medias Barry Diller u detyrua gjithashtu të hiqte dorë nga Napoli pasi portieri Mergellina ndaloi jahtet më të gjatë se 75 metra për arsye sigurie.

Një burim në port tha se lëvizja ishte “e pakuptueshme” duke pasur parasysh se megajahtet kishin qenë në gjendje të ankoroheshin atje për 20 vitet e fundit dhe se Napoli do të humbiste llojin e vizitorit që i solli pak shkëlqim një qyteti që “shpesh bën lajme për arsye negative”.

“Po marr shumë letra nga magnatët që thonë se janë krejtësisht të zhgënjyer që nuk mund të ankorohen më në Napoli”, shtoi burimi. Një nga letrat, nga një kompani që merr me qira një jaht në pronësi të një miliarderi turk dhe është i regjistruar në Ishujt Kajman, thoshte: “Anija jonë ka një gjatësi prej 85 metrash dhe kam parë më të mëdhenj të ankoruar atje pa asnjë problem. Pse kjo nuk është më e mundur? Jahtet e mëdha sjellin para, sjellin punë dhe është vërtet për të ardhur keq që nuk mund të ndalen më në Napoli.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *