30 Mars, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Narea: Të huajt interes të lartë për të blerë prona në Shqipëri

Me “fajtorin” kryesor, turizmin, për reklamën që i është bërë Shqipërisë, investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme po rriten gjithnjë e më shumë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit të kaluar janë investuar 379 milionë euro, duke regjistruar shifrën më të lartë ndonjëherë, ose 17% më shumë se në vitin 2023.

“Të huajt po e shohin Shqipërinë si një mundësi e cila përdoret pothuajse përgjatë gjithë vitit. E para është lokacioni i Shqipërisë, duke qenë shumë afër me vende të zhvilluara për turizmin, siç është pjesa e Kroacisë, pjesa e Malit të Zi, siç është pjesa e Greqisë. Në të njëjtën kohë, vazhdohet të investohet në Shqipëri edhe për shkak të sistemit të taksimit. Nëse do të kishim qytetarët e Gjermanisë, apo të Polonisë, apo të Çekisë, do të kishin një pasuri të dytë ose të tretë në vendin e tyre, do të paguanin shumë më shumë taksa se ç’do paguanin në Shqipëri,” shprehet drejtori ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria.

Vija bregdetare e vendit, e shoqëruar nga faktorë të tjerë ekonomikë, po bën që të huajt të blejnë gjithnjë e më shumë prona në bregdet, duke rritur edhe vlerën e tyre – kryesisht në rajonin e jugut, ku gjatë vitit të shkuar çmimi për metër katror arriti deri në 4 mijë euro.

“Me përqasjen e investimit në Sazan apo në Durrës dhe Vlorë, kemi pasur interes edhe nga vendet përtej oqeanit, po themi pjesa e Amerikës. Sepse ata perceptojnë që, kur Amerika investon në Shqipëri, patjetër që ka garanci të shtuara dhe të investohet në Shqipëri,” tregon në të tjera Reinaldo Pipiria.

24% e investimeve të huaja të kryera në Shqipëri kanë qenë në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke e bërë atë sektorin më tërheqës për kapitalin e huaj.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë vlerëson se deri në fund të vitit të shkuar, stoku i investimeve në këtë sektor ka arritur deri në 2 miliardë euro.

SCAN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *