28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ndërtimi tani po shqetëson edhe Gent Sejkon

Rritja e vrullshme e sektorit të ndërtimit e shoqëruar me zgjerimin e shpejtë të kredisë ka filluar të shqetësojë edhe Bankën e Shqipërisë. Për herë të parë autoriteti qendror monetar i bëri thirrje bizneseve dhe konsumatorëve që të bëjnë kujdes dhe të mos marrin vendime të nxituara në kushtet e optimizmit.

“Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishëm. Ata burojnë kryesisht nga pasiguria që mbartin zhvillimet gjeopolitike por mund të zhvillohen edhe në kushtet e një optimizmi që shoqërohet me veprime të pakujdesshme nga ana e agjentëve ekonomikë,” paralajmëroi Këshilli Mbikqyrës i BSS në deklaratën e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut ndaj euros, në sektorin bankar depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua. Në gjashtë muajt e parë të vitit bankat shqiptare disbursuan rreth 1.8 miliardë euro kredi të reja, një pjesë e madhe e të cilave shkoi për të financuar blerjen e banesave. Nga ana tjetër çmimet e banesave vazhdojnë të rriten në trend dyshifror.

Në raportin e fundit të vrojtimit të tregut të pasurive të paluajtshme Indeksi “Fischer”, me të cilin Banka e Shqipërisë analizon ndryshimin e çmimeve të banesave u rrit me 16.9 në rang vendi, ndërsa në Tiranë kjo rritje ishte edhe më fortë. Sipas BSH, në Tiranë çmimet e banesave u rritën mesatarisht me rreth 24 për qind krahasuar me janar-qershorin 2023.

Ky cikël i rritjes së shpejtë të çmimeve në ndërtim dhe kreditimit të ekonomisë, i cili ushqen veten, ka filluar të konsiderohet si një risk për ekonominë nga Banka e Shqipërisë. Në këto kushte BSH u ka bërë thirrje bizneseve dhe qytetarëve që të kenë kujdes dhe të mos marrin vendime bazuar në pritshmëritë optimiste duke e zhytur veten në borxhe masive.

“Ndaj, vlerësohet se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur efiçiencën e veprimtarisë,” thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikqyrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *