29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ndryshon lista e barnave/ Qeveria: Do të futen medikamente të reja kundër sëmundjeve tumorale

Pasi e mbajti tre vjet të pandryshuar, qeveria premton se do të shtojë medikamente të tjera për kurimin e sëmundjeve tumorale në listën e rimbursueshme të barnave.

Teksa Shërbimi i Onkologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përfshirë në skandalin e dozave të pjesshme të kimioterapisë apo drejtimin e pacientëve drejt klinikave private, zv.ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Niko Hyka ka njoftuar rishikimin e listës gjatë vitit 2024 dhe futjen e ilaçeve për diagnoza pjesërisht apo aspak të mbuluara, ndonëse nuk dha detaje konkrete mbi numrin e tyre.

Rishikimi i listës së barnave me rimbursim vjen pas 3 vitesh që ajo nuk ka pësuar asnjë ndryshim, çka bëri që Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë të thërrasë në seancë dëgjimore publike përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale dhe të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Mbledhja e komisionit nisi me debate për skandalin në Shërbimin e Onkologjisë, teksa pas diskutimeve të forta mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, u dakordësua të zhvillohet një dëgjesë me përfaqësues të spitalit Onkologjik dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq, lista e re duhet të miratohet në ministri e më pas në qeveri, përpara se të hyjë në fuqi. Lista e barnave të rimburueshme është atakuar shpesh si një listë klienteliste, e cila nuk hartohet për t’u shërbyer nevojave të vërteta të pacientëve, por si pasojë e lobimeve të kompanive të caktuara farmaceutike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *