13 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Nënshkruhet marrëveshja me 4IG/ Linjë nënujore për trafikun e internetit nga Egjipti në Shqipëri

Qeveria shqiptare nënshkroi marrëveshjen e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore me Egjiptin, një projekt që pritet të kthejë Shqipërinë një nyje të rëndësishme ndërkombëtare.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se ky projekt është një shtyllë mbështetëse për integrimin dhe zhvillimin e vendit për t’u futur në Bashkimin Europian.

“Një projekt inovativ që do ta kthejë Shqipërinë në një nyje ndërlidhëse ndërkombëtare.

Rrjetet kabllore me fije optike janë autostradat e komunikimit global tashmë me rendësi strategjike për vendet me zhvillimet e së ardhshmes. Sot nënshkruajmë këtë marrëveshje mirëkuptimi me 4iG përsa i përket ndërtimit të një linje komunikimin, që do të lidh Shqipërinë me Egjiptin.

Si sistem që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike, duke shtuar diversitetin e rrugëve dixhitale, që lidhin Mesdheun në mënyrë tradicionale, që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe Italinë, duke dhënë kështu një mundësi të tretë. Ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe të zhvillimit të trafikut, të dhënave mes Azisë, Lindjes së afërt dhe Europës.

Nga ana e Egjiptit do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujorë të juglindjes mes Detit të Kuq dhe Azisë, sigurisht dhe Afrikës, të cilave i shtohen 10 rrugëve tokësore transegjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të Detit Mesdhe. Egjipti luan rolin e një nyje ndërkombëtare të të gjithë autostradave dixhitale.

Për Shqipërinë sistemi do të ofrojë rrugën me të shkurtër për në Frankfurt si dhe destinacione të rëndësishme për trafikun dixhital europian, duke lidhur njëherë e mirë Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit. Investimi i cili vlerësohet nga 100 deri në 115 milion euro është i mirëpritur nga qeveria shqiptare, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikat që ne kemi për zhvillimin e teknologjisë dhe të dixhitalizimit në vendin tonë.

Ky projekt bëhet një shtyllë mbështetëse edhe për strategjinë kombëtare e cila ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për tu futur në BE, si një nga prioritetet kryesore të kësaj strategjie”, deklaroi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Linja
Një investim gjigand, i cili do ta shndërronte Shqipërinë në një nyje teknologjike për Europën. Marrëveshja për ndërtimin e linjës nënujore u nënshkrua në tetorin e vitit të kaluar mes Telecom Egypt dhe 4iG për të lidhur Egjiptin dhe Shqipërinë nëpërmjet një kabllo nënujore me kapacitet të lartë trafiku për transmetimin e internetit.

Me një model aksesi të hapur dhe njësi të shumta degëzimi, sistemi është ngritur, thonë partnerët, për të qenë një pikë e re hyrëse kabllore evropiane me një kalim tjetër tranziti nga rrugët tashmë ekzistuese të Mesdheut në pikën kryesore të pranisë së internetit.

Të dy kompanitë thonë se synojnë të fitojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe në rritje të shpejtë për trafikun e internetit midis Evropës dhe Azisë, si dhe midis Evropës dhe Afrikës Lindore.

Për më tepër, marrëveshja i mundëson 4iG Group të hyjë si një lojtar i ri në tregun e infrastrukturës ndërkontinentale të transmetimit të të dhënave midis Evropës dhe Azisë, dhe Evropës dhe Afrikës Lindore.

Vendndodhja strategjike e Shqipërisë, shpjegojnë partnerët, e bën atë një portë dhe pikë hyrëse të spikatur në Evropën Lindore. I mbështetur me një infrastrukturë tokësore të siguruar ndërkufitare, ai do të lehtësojë lidhjen e mëtejshme dhe aksesin në destinacione të ndryshme kryesore.

Mohamed Nasr, Drejtor Menaxhues dhe Kryeshefi Ekzekutiv në Telecom Egypt, thotë: “Ne jemi të kënaqur që bashkëpunojmë me 4iG, e cila krijon terrenin për shtimin e një pike të re të larmishme hyrjeje në Evropë, duke lehtësuar drejtimin e trafikut afrikan dhe aziatik në pikat kryesore të pranisë në Evropë. Kjo shkon në përputhje me strategjinë e Telecom Egypt për të diversifikuar opsionet e kalimit të pellgut të Mesdheut përmes rrugëve të hapura dhe elastike nga Egjipti në Evropë për të rritur opsionet e lidhjes së partnerëve tanë.

Trafiku
Aktualisht Shqipëria ka dy lidhje në rrjetin botëror të internetit. E para është kabllo nënujore me Italinë e ndërtuar nga Telecom Italia dhe Albtelekomi shqiptar, në kohën kur këto të dyja ishin ende kompania shtetërore. Por kjo fibër është ndërtuar para shumë vitesh me teknologji të kohës së atëhershme dhe nuk ka kapacitet të lartë transmetimi. Rruga e dytë është ajo tokësore me Greqinë, që zotërohet nga kompania shqiptare ATU.

Projekti i Telecom Egypt me 4iG synon të shtojë një kabllo me kapacitet lartë për transmetimin e internetit super të shpejtë, jo vetëm për nevojat e Shqipërisë, por për të gjithë rajonin. Synimi është që kjo infrastrukturë të jetë një nga rrugët kryesore të transmetimit të internetit në Europë, prej nga do të lidhen vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë.

Edhe pse projekti ndodhet herën në fazë të hershme, në nivelin e Memorandumit të Mirëkuptimit, realizimi i tij do ta shndërronte Shqipërinë në një nga qendrat më të fuqishme europiane të internetit dhe do të afronte kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë. Burime thanë për Kapitali.al se bëhet fjalë për një investim gjigant, por të cilin dy kompanitë janë shumë ta angazhuara që ta realizojnë për shkak të përfitueshmërisë së madhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *