3 Janar, 2025
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Nëntor/ Dyfishohen netë qëndrimet e të huajve në hotelet shqiptare

Numri i netë qëndrimeve të shtetasve të huaj në hotelet shqiptare u dyfishua në muajin nëntor duke vendosur një rekord të ri. Instituti i Statistikave raportoi se gjatë muajit të parafundit të vitit, hotelet shqiptare regjistruan 145 mijë netë qëndrime nga shtetasit e huaj, nga 73 mijë që ishte shifra në nëntorin e vitit 2022.

Sipas INSTAT, rritje kanë shënuar edhe netë qëndrimet nga vizitorët vendas, të cilat u zgjeruan me 55.7 për qind krahasuar me nëntorin e 2022-shit.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave është 12.7%, nga 9.7% që ishte në muajin Nëntor 2022. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të shtretërve është 16.2%, kundrejt 9.1% që ishte në muajin Nëntor të vitit të shkuar.

Përsa i përket rajonit ku janë akomoduar turistët duket se edhe në muajin Nëntor rajoni i Qendrës ka qenë më i “lakmuari” pasi u akomoduan gjithsej 58,215 vizitorë gjithsej prej të cilëve 67.3% e tyre ishin të huaj. Nga ana tjetër, 32.7% vizitorëve u akomoduan në rajonin e Veriut dhe Jugut.

Turistët e huaj në Shqipëri paraqiten diversë pasi vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në muajin Nëntor na vizituan 10.7% turistë nga Kosova, 10.5% nga Italia, 4.6% nga Gjermania dhe 2.8% nga Mbretëria e Bashkuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *