Klodian Tomorri
Në ditët e para të vitit, në një pallat tek Rruga e Kosovarëve, policia gjeti aksidentalisht mbi 500 mijë euro të fshehura në tubin e aspiratorit të një apartamenti. Banesa ishte e pastrues se Alda Klosit, zyrtares së Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, që më parë kishte qenë edhe këshilltare e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Zonja Klosi nuk e pranoi asnjëherë pronësinë e parave, por pavarësisht kësaj prokuroria vendosi arrestimin e saj. Edhe sot e kësaj dite 500 mijë eurot e gjetura në tubin e aspiratorit kanë ngelur jetim dhe nuk u del kush zot.
Tre ditë më vonë, SPAK arrestoi sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, për shkak se kishte autorizuar një pagesë 1.2 milionë euro për të kompesuar një pronë, e cila ishte paguar njëherë më parë. Edhe pse SPAK nuk provoi apo akuzoi në asnjë rast se sekretari i Delina Ibrahimajt kishte marrë para, autorizimi i pagesës u certifikua si i paligjshëm edhe nga gjykata.
Kur zhurma publike për dy rastet e mësipërme ishte në kulmin e saj, oficerët e policisë gjyqësore sekuestruan, por në heshtje totale, telefonat e dy zyrtarëve të tjerë të Rilindjes. Këta ishin Endri Mullai, drejtor i prokurimeve në Ministrinë e Brendshme dhe Eraldo Xhani, këshilltari historik i kryetarit të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Motivi i sekuestrimit lidhej me disa tendera ushqimesh të zhvilluara nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara. Prokurorët e SPAK dyshonin se njeriu i Taulant Ballës dhe drejtori i Bledi Çuçit kishin bashkëpunuar për të favorizuar në tendera kompaninë e një personi të njohur të botës së krimit në Elbasan. Njëri prej tyre ishte tenderi 2.4 milionë euro i blerjes së mishit për të burgosurit.
Në fakt, gjatë ndalimit nga oficerët e policisë, njërit prej tyre nuk iu gjet vetëm telefoni, por edhe një sasi e madhe eurosh. Asaj kohe në qarqet e Rilindjes komentohej me shaka, por ndoshta edhe me xhelozi, se paratë e gjetura ishin kafja e mëngjesit për shefin. Por SPAK nuk e raportoi asnjëherë aksionin, as shumën e parave të gjetura dhe hetimi u asfiksua në heshtje totale.
Një ditë më parë, prangat ranë mbi një tjetër neo Rilindase. Këtë herë ishte sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, e cila sipas mediave është kapur në flangrancë duke marrë 400 mijë lekë rryshfet për një tender. Arrestimi u konfirmua nga SPAK, por pa detaje. Altin Dumani tha se aksioni është në zhvillim. Të gjitha këto raste kanë një të përbashkët. Personazhet e tyre janë klasa e re e menaxherëve të shtetit që ka krijuar Rilindja.
Edi Rama, i cili dje konfirmoi se është në dijeni të plotë të çdo lëvizje që bën SPAK, kur lajmëroi arrestimin e sekretares së përgjithshme të Ogerta Manstirliut para se SPAK ta njoftonte atë, nxitoi që ta largonte pisllëkun nga qeveria. Madje duke e kthyer atë në favorin e saj, teksa deklaroi se është qeveria që e ka hapur kutinë e Pandorës. Por të gjitha këto raste ngrenë një pyetje. Pse korruptohen kaq masivisht neo rilindasit?
Italianët thonë se tre indicie bëjnë një provë. Në fakt këtu po bëhen me dhjetra. Dhe prova është kjo. Sistemi i qeverisjes që ka ngritur Rilindja prodhon aq shumë korrupsion sa që infekton këdo që hyn në orbitën e tij. Eshtë ai sistem, që dikur Edi Rama e përdorte për të justifikuar aleancën me Ilir Metën kundër Sali Berishës. Doktori non grata iku. Por sistemi u perfeksionua. Dhe tani po prodhon neo hajdutë më shumicë. Made in Rilindja.