Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani zhvilloi të hënën një takim informal me gazetarët ku u përgjigj për disa nga çështjet e nxehta të aktualitetit.
I pyetur lidhur me çështjen e “mikrokredive”, referuar ngjarjes së rëndë të ndodhur para SPAK ku një qytetar i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, Dumani u shpreh se: “SPAK nuk heton kallëzimet e qytetarëve, por po heton një çështje që lidhet me kompetencat e veta“.
Lidhur me dosjen ‘Partizani’ për të cilën po hetohet ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i SPAK tregoi se “lidhur me këtë dosje vijojnë hetimet dhe janë sekuestruar disa pasuri”.
Kurse për çështjen “Beleri”, Dumani tha: “Tashmë Beleri është një person i dënuar me formë të prerë. Nuk ka më asnjë kompetencë SPAK sa i takon fazës së ekzekutimeve të vendimeve penale. Në momentin që vendimi merr formë të prerë, SPAK nuk ka me asnjë implikim procedural”.
Për çështjen e “21 janarit”, Dumani ka thënë se materialet po depozitohen dhe do të koordinohet me Prokurorinë e Tiranës.
“Materialet depozitohen dhe patjetër lind nevoja për koordinim me prokurorinë e Tiranës”, mësohet të ketë thënë Dumani.
Disa nga pyetje-përgjigjet me kreun e SPAK:
Pyetje: Javët e fundit ka qenë në fokus Ilir Meta dhe Kryemadhi. Çfarë statusi kanë këta dy persona?
Dumani: Çështja është në hetim, nuk mund te jap asnjë koment.
Pyetje: A ka zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në hetim?
Dumani: Është çështje në hetim, çdo e dhënë që paraqet interes për hetimin, prokurori duhet ta hetojë.
Pyetje: Për Ahmetajn, keni pasur shkëmbim me partnerët?
Dumani: Është konfidencalitet me autoritetet.