21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Nga ‘Solis Farm’, para, orë Rolex, te varëse me diamante, SPAK ‘godet’ sërish vëllezërit Çopja

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka sekuestruar disa pasuri të organizatës kriminale të drejtuar nga dy vëllezërit nga Elbasani, Franc Gergely alias Franc Çopja dhe Hajdar Bako alias Hajdar Çopja,

SPAK bën të ditur se ka sekuestruar disa pasuri pronësore, por edhe para, orë Rolex dhe gurë të çmuar, në dukje diamante.

“Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme.

Më datë 18.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 115, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur ‘’sekuestro preventive’’ për operatorin ekonomik “S….. FARM” (me aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj), si dhe për godinën dhe tokën, në sipërfaqen e të cilës ky operator ekonomik ushtron aktivitetin, konkretisht, pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, Tiranë.”– thuhet në njoftimin e SPAK.

Pasuritë e sekuestruara:

– Pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, (pjesë e OE-së “S. FARM”);

– Godinë shërbimesh restorant; kati i parë përbëhet nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj.

– Oborri (hapsira rreth ndërtesës) në të cilën gjenden tavolina dhe karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm;

– Dhomë shërbimi jashtë restorantit;

– Sendet dhe orendi, të ndodhura në restorant.

Po ashtu, në datë 18.02.2025, në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “S. FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit P.L., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– Shuma monetare në valutë euro 2940 (dy mijë e nëntëqind e dyzet)

– Shuma monetare në monedhë Lekë (ALL), në total 203,000.00 (dyqind e tre mijë)

– Orë dore, marka Rolex

– 1(një) varëse floriri, me pllakë në dukje me përbërje floriri, pas të cilës është gdhendur data 29.09.2022, ndërsa në pjesën e përparme janë të vendosura dhe 3 (tre) gurë të çmuar, në dukje diamante;

– 4 (katër) telefona;

Kujtojmë se pak ditë më parë SPAK ka mundur t’i bllokojë kësaj organizate një pasuri prej 10 milionë dollarësh amerikanë në kriptovalutë. Po ashtu veç kriptovalutave, vëllezërve Çopja iu sekuestruan edhe shumë pasuri të tjera.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të firmosur masa sigurie ndaj vëllezërve Çopja dhe 31 personave të tjerë në fund të korrikut të vitit të shkuar. Vetëm 13 nga masat u ekzekutuan. Me herët, Franc Çopja ishte ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara në Belgjikë, ndërsa vëllai i tij, Hajdar Çopja, vijon të jetë në kërkim.

Pas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani dhe të dhënave nga aplikacioni SKY të vëna në dispozicion nga Belgjika, SPAK ngriti dyshime për përfshirjen e tyre në 26 ngjarje kriminale, mes të cilave “masakra e Bradasheshit” me 3 të vrarë, dhjetorin e vitit 2018.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *