Energjia diellore klasifikohet si alternativa e ngrohjes më pak e kushtueshme, nëse merren në konsideratë kostot direkte dhe indirekte për secilin prej burimeve që përdoren aktualisht nga familjet shqiptare. Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço analizon për TV SCAN se kostot e prodhimit të energjisë diellore janë të papërfillshme, pas investimit fillestar.
Ndërkaq, ndonëse ngrohja me dru që përdoret më shpesh nga familjet shqiptare konsiderohet si alternativa më e lirë, nëse merren në konsideratë kostot indirekte në mjedis e shëndet, klasifikohet si më e shtrenjta.
Sa i takon energjisë elektrike, që është alternativa e dytë e preferuar nga konsumatorët familjarë, Muço thotë se ajo renditet midis energjisë diellore dhe drurit.
Ndërkaq, sipas një vlerësimi mbi alternativat e ngrohjes së banesë, nga organizata mjedisore All Green Centre, që merr në studim qytetet e Korçës dhe Pogradecit, për një banesë 100 m2, në rast se përdoret ngrohja me energji elektrike kushton 95 lekë/orë, për ngrohjen me dru 46.5 lekë/orë, për atë me pellet 70 lekë/orë, ndërsa për ngrohjen me gaz 161 lekë/orë. Ndërkohë që, energjia diellore ka kosto thuajse zero, pas investimit fillestar.
Por, ndonëse është më pak e kushtueshmja, përdorimi i energjisë diellore nga familjet shqiptare është thuajse inekzistent. Sipas INSTAT gati gjysma e familjeve përdorin sobat për ngrohjen e banesave të tyre, ndërkohë që energjia elektrike renditet në vendin e dytë me 43.8% të familjeve.
Më pak e përhapur është ngrohja me gaz, të cilën e kanë zgjedhur vetëm 6.2% e njësive ekonomike familjare, teksa numri i atyre që zgjedhin naftën dhe gasoilin është thuajse i papërfillshëm.
Scan Tv