29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Nisma e Gjylametit bllokon shitjet e apartamenteve

Nisma për rivlerësimin e pronave me taksë të zbutur ka futur në ngërç tregun e pasurive të patundshme, teksa qytetarët presin hyrjen në fuqi të ligjit dhe uljen e taksës për të shitur ose blerë apartamente dhe troje. Projektligji i propozuar nga deputetja socialiste Blerina Gjylameti u jep të drejtën qytetarëve që të rivlerësojnë pronat e tyre me çmim tregu duke paguar një tatim vetëm 3 për qind mbi diferencën me çmimin ekzistues të pronës nga 15 për qind që është shkalla zyrtare.

I ftuar në emisionin Ekonomia 3D Ervin Demirxhiu i cili është ekspert si vlerësues të pasurive të patundshme, deklaroi që pronarët e banesave janë tërhequr derisa të formalizohet projektligji.

“Tani aktualisht ka shkaktuar një ngërç sepsse njerëzit, qytetarët pra kryesisht shitësit janë tërhequr nga shitjet sepse flaism për diferencë të madhe tatimi. Janë tërhequr për arsye të pritjes së këtij procesi, për kryerjen e rivlerësimit të pronave. Deri tani ka ndikuar negativisht.”

Qeveria shqiptare ka miratuar disa here në të kaluar ligjin për rivlerësimin e pronave. Hera e fundit ishte në vitin 2020. Por një muaj më parë deputetja socialiste, Blerina Gjylameti e ripropozoi sërish nismën. Në projektligj parashikohet që të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në datën 31 qershor 2025 të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *