Pas aksidentit të radhës me urbanët e Unazës, Nisma Thurje ka sulmuar monopolin privat të transportit publik në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Endri Shabani kërkon që shërbimi i transportit urban të shtetëzohet duke i hequr monopolin kompanisë private CFO Farma, pas aksidenteve të shumta që sipas tij kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Postimi i plotë i Shabanit
Boll më! Koha për t’ia rikthyer urbanët publikut!
Linja e unazës i është dhënë monopol një operatori privat, me argumentin se e menaxhon më mirë se bashkia.
Sot, për të disatën herë autobuzët e kësaj linje shkaktuan një aksident tjetër në mes të Tiranës.
Është e njëjta linjë që i hodhi qytetarët në Lanë.
Është po e njëjta linjë që mori përpara makinat e parkuara në semafor tek parku rinia.
Është po e njëjta skenë me urbanët privat që marrin përpara tabelat e reklamave, stacionet e autobuzëve apo makinat e qytetarëve.
KJO DUHET TË MARRË FUND!
Pavarësisht shkakut real, apo justifikimit që jepet në media, këto aksidente tregojnë që privati nuk garaton dot jo vetëm cilësinë e shërbimit por as sigurinë e jetës së qytetarëve të Tiranës!
Prej tre vitesh si Nisma Thurje kemi kërkuar inspektimin e këtyre autobuzëve urban, apo raportet e kontrollit teknik nga Drejtoria e Shërbimit Rrugor, por ka patur zero transparencë.
Prandaj nesër do t’i kërkoj zyrtarisht Këshillit Bashkiak dhe kryetari të bashkisë anullimin e kontratës me operatorin privat që menaxhon linjën e unazës.
Ta nisim nga kjo linjë, si hap i parë, për tu shkëputur nga ky model abuziv në të gjitha linjat urbane, dhe për t’i ofruar Tiranës një transport publik.