22 Prill, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Një kompani shqiptare e konsulencës realizoi 10 milionë euro shitje fiktive në dy vite

Kompanitë e konsulencave ligjore kanë qenë në lupën e organeve të drejtësisë pas indicieve për aktivitete të dyshimta për pastrim parash përmes skemave të sofistikuara.

Raporti i Agjencisë së Inteligjencës Financiare sjell rastin e një skeme të tillë që përfshin kryerjen e një aktiviteti fiktiv nga një shoqëri shqiptare që përfitoi 10 milionë euro.

Sipas të dhënave të publikuara, në dhjetor 2020, shtetasi A themeloi shoqërinë X (veprimtaria e së cilës lidhet me shërbime konsulence) dhe disa ditë më pas ia shiti kuotat e kësaj shoqërie shtetasit të huaj (B), duke mbetur vetëm administrator i shoqërisë.

Shtetasi B (ortaku i vetëm i shoqërisë X) rezulton të ketë ardhur në Shqipëri vetëm dy herë gjatë 2023-2024 dhe ka qëndruar jo më shumë se tri ditë. Gjatë një periudhe 2-vjeçare (2021-2022), shoqëria X ka përfituar një volum të lartë transfertash që arrijnë në një total prej 10 milionë eurosh, të urdhëruara nga shtete si: Ishujt Cayman, Panama, Gjibraltar, Qipro, Maltë, Poloni etj. nga subjekte të ndryshme kryesisht të lidhura me lojërat e fatit, për shërbimet e ofruara nga kompania X.

Lidhur me mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve u konstatua se pjesa më e madhe e tyre (rreth 80%) janë transferuar në favor të kompanisë Z në Amerikën Latine për pagesa faturash dhe pjesa tjetër është transferuar për të tretë brenda dhe jashtë Shqipërisë për likujdime faturash/ detyrimesh apo është tërhequr cash nga përfaqësuesi me prokurë, shtetasi C.

Pas qarkullimit të fondeve, llogaritë e biznesit janë mbyllur.

Nga verifikimet të mëtejshme për shoqërinë X, ka rezultuar se sipas inventarit të vetëdeklaruar nuk ka pasur në posedim makineri/pajisje informatike zyre; i punësuar ka qenë vetëm administratori shtetasi A, por ndërkohë nga ana tjetër ka deklaruar shitje në vlera të konsiderueshme (që përputhen me totalin e transfertave të përfituara prej saj) gjatë 2021-2022. Në këtë mënyrë lindën dyshime për pamundësinë reale të një shtetasi të vetëm për të kryer këtë volum shitjesh, duke u përforcuar këto dyshime edhe më shumë referuar historikut të punësimit të shtetasit A i cili njëkohësisht ka qenë i punësuar edhe si kuzhinier pranë një restoranti në Tiranë.

Nga verifikimet u konstatuan mospërputhje (diferenca në totalin e shitjeve të deklaruara) të deklaratat tatimore, duke krijuar dyshime se subjekti nuk ka paraqitur situatën reale financiare. Gjatë periudhës 2023 – 2024, shoqëria X e ka ndryshuar disa herë adresën kryesore të aktivitetit duke u vendosur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke shtuar dyshimet për shmangie të organeve tatimore.

Referuar ndryshimeve të shoqërisë X në vite ka rezultuar se në mars 2022, shoqëria X e ka pezulluar veprimtarinë e saj dhe rreth një vit më pas, ortaku i vetëm i shoqërisë (shtetasi i huaj) ia ka shitur 100% të kuotave të shoqërisë shtetasit shqiptar H (biznesmen); Më vonë, në maj 2023, shoqëria ka aktivizuar përsëri aktivitetin e saj dhe tre muaj më pas, e ka pezulluar përsëri veprimtarinë dhe ka kaluar në status ‘në likuidim e sipër’. Likuidatori është shtetasi H;

Nga verifikimet rreth veprimtarisë së ushtruar nga shtetasi H, rezultoi se njësoj si shtetasi A, ka themeluar një shoqëri Y, e cila pak ditë pas regjistrimit ka kaluar në pronësi të një shtetasi të huaj (nga i njëjti shtet i BE me aksionerin e shoqërisë X), duke nënkuptuar një lidhje mes palësh.

Në konkludim të rastit, duke marrë në konsideratë vlerat e larta të transfertave në mbërritje të urdhëruara nga subjekte të ndryshme kryesisht të lidhura me lojërat e fatit, më së shumti nga vende të parajsës fiskale; mënyrën e operimit të shoqërisë X, vetëm me një punonjës, i cili asokohe ka qenë i dy punësuar, ka arritur të kryejë shitje rreth 10 mln euro dhe për më tepër pa pasur pajisje informatike zyre; ndryshimin e vazhdueshëm të adresës së shoqërisë nga një qytet në tjetrin lindte dyshimi për një kompani fictive, qëllimi i krijimit të së cilës ishte vetëm qarkullimi i shumës së sipërpërmendur.

Rasti u dërgua për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit. Pas një muaji rezultoi se të ishte kryer regjistrimi penal i rastit, ndërsa nga burime të hapura informacioni rezulton se shtetasi H dhe përfaqësuesi me prokurë i shoqërisë X, shtetasi C, janë arrestuar në mars 2024, si të dyshuar për pastrim parash dhe janë nën hetim, përfundon raporti.

ekofin.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *