27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Një rrumpallë financiare/ Buxheti po plas nga sufiçiti, por qeveria rrit detyrimet e prapambetura ndaj biznesit

Në fund të korrikut balanca e buxhetit u mbyll me sufiçit 45.2 miliardë lekë. Kjo do të thotë se qeveria ka mbledhur 425 milionë euro më shumë nga taksat dhe burimet e tjera financiare se sa ka shpenzuar për rroga, pensione apo në zëra të tjerë të shpenzimeve publike. Këto para rrinë të fjetura në llogaritë e qeverisë.   

Për të njëjtën periudhë, pra në 7 muajt e parë të vitit, detyrimet e prapambetura të qeverisë qëndrore ndaj biznesit u rritën me 5 miliardë lekë ose 47 milionë euro. Këto janë fatura për punë, të cilat bizneset i kanë kryer në terren dhe që qeveria I ka njohur sipas situacioneve përkatëse.

Më saktësisht nga 6.7 miliardë lekë që ishin në fund të vitit të kaluar, në korrik detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj biznesit për punët publike arritën në 11.7 miliardë lekë.

Kjo është rrumpalla financiare e administrimit të financave publike. Nga njëra anë buxheti i shtetit po plas nga sufiçiti, nga ana tjetër qeveria nuk paguan biznesin për situacionet e njohura dhe të pranuara të punëve publike.

Korrupsion dhe keqmenaxhim

Shqetësimi për rritjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë shqiptare është ngritur me forcë edhe nga Komisioni Europian. Ekspertët e Komisionit nuk arrijnë të kuptojnë se si mundet që qeveria të rrisë detyrimet e prapambetura duke vënë biznesin në tension, kur buxheti ka 425 milionë euro sufiçit.

Por shifrat janë këto. Dhe ky fenomen ka dy arsye se pse ndodh. E para është që punimet faktike në projekte të caktuara të punëve publike avancojnë përtej planifikimit buxhetor të vitit korrent.

Fjala vjen nëse për një rrugë buxheti ka planifikuar 100 milionë lekë për këtë vit, por kompania që e ndërton atë ka kryer 150 milionë lekë punime sipas situacionit, atëherë krijohet 50 milionë lekë detyrim i prapambetur. Ky detyrim mund të fshihet vetëm përmes rialokimeve duke ndryshuar buxhetin, që shpesh bëhet me akt normative.

Arsyeja e dytë është edhe më malinje. Biznesi mbahet peng për pagesat legjitime, që i takojnë derisa të trokasë në zyrën e duhur. Ky është korrupsioni. Nuk ka para, po nuk takove zyrtarin që të firmosë për kalimin e tyre. Dhe kjo ndodh rëndom në zyrat e shtetit.

Madje para disa kohësh në Shqipëri u bënë të modës kompanitë e faktoringut. Bizneset të cilët nuk mund të merrnin dot paratë që u takonin nga buxheti, detyroheshin t’i shisnin faturat e tyre me skonto tek kompanitë e faktoringut. Dhe shpesh kompanitë e faktoringut zotëroheshin nga zyrtarët që duhet të firmosnin kalimin e pagesave nga buxheti. Një cirk i madh korrupsioni, që nuk thyhet asnjëherë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *