Vitin e kaluar Banka Kombëtare Tregtare arkëtoi 21.18 miliardë ose 192 milionë euro të ardhura në total. Nga këto 9.46 miliardë lekë rezultuan fitim neto pas taksave. E thënë thjesht në çdo 100 lekë të ardhura, BKT fiton 45 lekë neto.
Prej disa vitesh, BKT qëndron në podin e biznesit më fitimet më të larta në ekonominë shqiptare. Të dhënat, nga bilancet që kompania ka dorëzuar në tatime tregojnë se në tre vitet e fundit, banka me kapital turk ka regjistruar një fitim neto prej 230 milionë eurosh në total. Mesatarisht 76 milionë euro fitim në vit.
Sipas të dhënave, norma e fitimit mbi xhiron për këto tre vite është luhatur nga 45 deri në 54 për qind e xhiros. Të dhënat nga bilancet tregojnë se çdo vit, BKT shpërndan mesatarisht 40-50 milionë euro dividentë për pronarin e saj. Pjesa tjetër shkon si rezervë ligjore ose në shtesë kapitali për të përmbushur detyrimet rregullatore.
Në terma të përfitueshmërisë kjo është një “cash cow”, ose në shqip një makineri fitimesh për aksionerët e saj. Një biznes që gjeneron normë fitimi mesatarisht sa 50 për qind mbi xhiron, do ta kishte zili çdo investitor në botë.
Për krahasim, Intesa San Paolo në Itali, vitin e kaluar regjistroi 47.8 miliardë euro të ardhura në total. Fitimin neto për të njëjtën periudhë rezultoi 4.9 miliardë euro ose pak më shumë se 10.2 për qind e xhiros. Sërish, qeveria italiane vendosi t’i taksojë bankat me të ashtuquajturën taksë speciale mbi fitimet ekstra.
Por pse bankat fitojnë kaq shumë para në Shqipëri? Burimi kryesor është diferenciali i normave të interesit mes kredive dhe depozitave. Sipas të dhënave të bilancit, vitin e kaluar BKT arkëtoi 15.2 miliardë lekë nga interesat e kredive që ka dhënë për bizneset, individët apo qeverinë. Për të njëjtën periudhë ajo shpenzoi vetëm 2.5 miliardë lekë si interesa për depozita. Kjo do të thotë se e ardhura neto nga interesat e bankës rezultoi 12.7 miliardë lekë.
BKT është banka më e madhe në Shqipëri. Njëkohësisht ajo është shndërruar edhe në një minierë fitimesh. Por këto shifra nuk janë normale. Normat e fitimit 50 për qind mbi xhiron për bankat janë “ekstra ekstra ekstra fitime.”