23 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Ogerta Manastrliu implikoi Ramën në aferën e Sterilizimit

Një dëshmi e dhënë nga ish ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu para prokurorëve të SPAK implikon drejtëpërdrejtë kryeministrin Edi Rama në aferën e koncesionit të Sterilizimit. Dëshmia, që gjendet në dosjen hetimore është zbardhur nga emisioni Plug në Syri Tv.

Manastirliu ka treguuar para prokurorëve se kur ishte drejtoreshë e QSUT në vitin 2014 kishte bërë përpjekje për të vënë në punë impiantin ekzistues të sterilizimit që ishte ndërtuar me lekët e shtetit në Repartin e Sterilizimit, pasi ishte nën presionin e mjekëve, që kërkonin sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Në përpjekje për të vënë në punë laboratorët ekzistues që kishin kapacitete dyfish për nevojat e QSUT, Manastirliu bëri bashkë një grup ekspertësh që hartuan një plan-biznesi dhe ia dërguan ministrisë së shëndetësisë që drejtohej nga Ilir Beqaj duke i kërkuar fondet.

Por siç dëshmon Manastirliu në SPAK, eprori i saj Ilir Beqaj në atë kohë ministër i shëndetësisë në fillim heshti, pastaj i doli kundër, dhe kur Manastirliu këmbënguli e kërcënoi me shkarkim.

Dëshmia

“Më 20 shtator 2013, u emërova drejtoreshë e QSUT. Tre muaj pas marrjes së detyrës, nisur nga kërkesat emergjente për pajisje kirurgjikale, dhe me qëllim që të mos i blinim te privatët, kërkova nga vartësit, një projekt financiar dhe gjetjen e një grupi specialistësh, për të vënë në punë qendrën e re të sterilizimit, që ishte instaluar në QSUT, por nuk ishte vënë në punë.

Në fund të muajit janar 2014, projekti financiar dhe grupi specialistëve me stafin e punonjësve, ishte gati e me leverdi financiare 1 milion Euro në vit, ose 10 herë më pak se vlera e koncesionit.

Pasi bëmë testimin me disa sete kirurgjikalë e doli me sukses, më 27 shkurt 2014, me Shkresë Nr. 1106, i kërkova ministrit Ilir Beqja, miratimin për vënien në punë të sterilizimit, jo si kosto, sepse e përballonte QSUT, por për fondin e punonjësve dhe si detyrim hierarkik.

Meqë ministri Ilir Beqja nuk ktheu përgjigje, dhe në mesin e muajit mars i kërkova të shpejtohej vënia në punë e Qendrës së Sterilizimit, mbasi kisha presion nga shefat e kirurgjisë, nga urgjenca dhe pavionet që përdorin pajisje të sterilizuara, por ai më tha të mos merrem më këto lejfenizma.

Këmbëngula disa herë deri në qershor 2014, kur Ilir Beqja më kërcënoi me shkarkim nga detyra si drejtore e QSUT nëse do vazhdoja me atë kërkesë”.

Pas vendimit ishte Rama

Po çfarë bëri Ogerta Manastirliu? Duke menduar se Ilir Beqaj po e sulmonte personalisht i shkruajti direkt kryeministrit Edi Rama me të cilin ka pasur njohje të hershme, që nga koha kur ishte pjesë e stafit të tij të ngushtë në Bashkinë e Tiranës.

Duke krijuar këtë qark të shkurtër direkt me Edi Ramën, Manastirliu mendoi se jo vetëm do t’ia “thyente turinjtë” eprorit arrogant, por do të siguronte paratë për të vënë në punë impiantin e sterilizimit.

Por Ilir Beqajt nuk i kishte marrë koka erë. Ai nuk kërcënonte kot. Pas Beqes ishte Edi Rama dhe këtë e konfirmon vetë Ogerta Manastirliu, e cila në SPAK ka treguar mesazhet që ka shkëmbyer me Ramën.

“Këmbëngula disa herë deri në qershor 2014, kur Ilir Beqja më kërcënoi me shkarkim nga detyra si drejtore e QSUT nëse do vazhdoja me atë kërkesë; gjë për të cilën vura në dijeni privatisht kryeministrin Edi Rama, por ai më tha: – Mos u merr më atë çështje, se kemi projekt tjetër.

Pas 7 muajsh, më 16 shkurt 2015, ministri Ilir Beqja shpalli njoftimin për dhënien me koncesion të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale për 10 vite, ndërsa më 5 tetor 2015 u publikua fituesi “Sani Servize Italia” e më 10 dhjetor 2015 u nënshkrua kontrata”.

Me këtë mesazh në celularin e saj, Ogerta Manastirliu u tërhoq, Aq mjaftonte për të kuptuar se pas Beqes fshihej vetë Edi Rama. Vetëm se këtë nuk e kanë kuptuar prokurorët e SPAK. Jo se janë më të trashë së Ogerta Manastirliu. Por sepse SPAK nuk shkon dot deri te Rama. Dhe kjo nuk është hera e parë që Prokuroria e Posaçme ngrin para tij.

Lapsi.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *