Boldnews
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është përfshirë në një skandal me automjetet që merr me qira. Disa ditë pasi një nën firmë e OSHEE-së, OSSH-ja publikoi një tender për të marrë makina me qira me vlerë 37 mijë euro një makinë, kësaj herë goditjen e ka bërë administratori i ri.
Enea Karakaçi, që u emërua nga Balluku disa javë më parë në vend të Adrian Çelës, ka firmosur dhënien aforfe të një shumë prej 900 mijë eurosh për kompanine e biznesmenit Agron Papuli. Një aferë e pastër, pasi kontrata e parë mes OSHEE-së dhe CLASSIC ishte lidhur në vitin 2020, me një vlerë prej 5 milionë eurosh. Por, me këto ndryshime, OSHEE-ja i shton dhe 1 milione euro te tjera.
Disa ditë më parë, Karakaçi ka urdhëruar vartësit e tij që të bëjnë amendimin e kontratës së marrjes së makinave me qira. Sipas dokumentit të mësipërm, që ka siguruar redaksia e BoldNews.al, bëhet fjalë për “amendim kontrate për shtyrje afati ‘Marrjen me qira operacionale të automjeteve për nevojat e “OSHEE GROUP sh.a”.
Vlera e kësaj procedure është plot 93.996.000 lekë. Nuk është tender por vetëm një amendim, para aforfe për një nga përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike. Por, kur këto para jepen nga një institucion që tashmë është lidhur fort pas Ballukut, diçka “bie erë”.
Përse OSHEE bën këtë amendim dhe i fal gati 1 milionë euro? Kush është pazari mes Papulit, Karakaçit dhe Ballukut? A nuk duhej bërë tenderi i ri, kësaj herë jo për makina me qira por për të blerë këto mjete?
Duket se tenderët e makinave me qira janë vetëm në favor të oligarkut, i cili për vitet e qirasë i merr OSHEE-së vlerën reale të automjetit. Dhe në fund të afatit kohor, oligarku dhe firma e tij kanë sërish mjetin, që mund ta shesin apo ta japin sërish me qira. Një biznes i pastër, kur humbës del vetëm shteti!
Në vitin 2020, OSHEE bëri një super tender, për të marrë makina me qira. Objekti i tenderit, sipas dokumentit të mësipërm, ishte “marrjen me qira operacionale të automjeteve për nevojat e OSHEE sh.a’.
Lëvrimi i mallit duhej të behej brenda 90 ditëve, ndërkohë që afati i qirasë ishte 36 muaj, 3 vjet. Kontrata përfundonte në verën e vitit 2023, para ka përfunduar! Në procedurën e atëhershme kishte vetëm një ofertë, atë të “Classic” sh.p.k dhe “Classic Rent a Car” me vlerë 469.980.000 lekë pa TVSH. Pra një tender në atë kohë pa garë, ndërkohë që po pa garë Papuli do të fitojë sërish 1 milionë euro nga ky amendimi.