Banka OTP Albania ka sponsorizuar një artikull në revistën prestigjoze Euromoney duke treguar rezultatet e saj në tregun shqiptar, por edhe planet për zgjerim në të ardhmen.
Në artikull, Euromoney e cilëson OTP-në si yllin në ngjitje të sektorit bankar shqiptar duke vërejtur se në segmente të caktuara të tregut, tashmë OTP është banka e dytë më e madhe në Shqipëri.
Pjesë nga artikulli i Euromoney
Edhe pa bashkimin me Alpha Bank, që ndodhi ligjërisht në 1 dhjetor 2022, rezultat e vitit të kaluar të OTP Bank Albania ishin inkurajuese.
Kthimi nga kapitali rezultoi 27.5 për qind, nga 18.5 për qind që ishtë në vitin 2021. Kjo përfaqëson kthimin më të lartë nga kapitali ndër bankat shqiptare dhe po ashtu kthimin më të lartë ndër bankat e grupit OTP.
Performanca e fortë është arritur në sajë të një sërë faktorësh, efiçencën e kostos, optimizimin e bilancit dhe cilësinë e mirë të portofolit të kredisë, pavarësisht ambientit sfidues.
“Dimrin e kaluar kishte shumë pasiguri rreth çmimeve të energjisë, por edhe mundësisë së një reçesioni në Europën Lindore,” shpjegon CEO i OPT Bank Albania, Bledar Shella.
“Bankat e grupit OTP u këshilluan në gjysmën e dytë të vitit që të ishin më selektive dhe më të kujdesshme në kredidhënie, ndaj pjesa jonë e tregut shënoi një rënie të lehtë gjatë asaj periudhe. Megjithatë ne kemi fituar sakaq treg në gjysmën e parë të këtij viti dhe aktualisht jemi në 11.5 për qind,” vijon Shella.
Procesi i bashkimit të dy bankave (OTP dhe Alpha), përfshiu një proces transparent seleksionimi dhe rekrutimi i mbështetur nga KPMG, për drejtuesit e bankës së re. Kjo ishte gjithashtu një mundësi për të rishikuar vendodhjen e degëve të bankës.
Të dy bankat kishin në total 73 degë në të gjithë Shqipërinë, të cilat u konsoliduan në 50 degë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Rritje e vazhdueshme
OTP është tashmë banka e tretë më e madhe në Shqipëri në terma të kredidhënies, duke qenë vetëm pak më poshtë se vendi i dytë. “Ne jemi të dytët në termat e kredisë hipotekore dhe asaj për biznesin e vogël, të dytët për kredinë e korporatave dhe të tretët për kredinë konsumatore,” shpjegon Shella.
“Pjesa jonë e tregut të depozitave është rritur nga 6 për qind që ishte në 10 për qind aktualisht duke na siguruar shumë likuditet, i cili do të mundësojë që të rritemi akoma më shumë.”
Në nëtor të vitit të kaluar, BERZH konfirmoi se kishte disbursuar 8 milionë euro për OTP si pjesë e programit të saj për “Konkurrueshmërinë e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme.” Ky program ofron mundësi financimi për bizneset lokale, të cilat kërkojnë të rrisin produktivitetin, shkurtojnë shpenzimet operacionale, të rrisin efiçencën e energjisë si dhe të rreshtohen me standardet e Bashkimit Europian.
Po kështu një nga prioritetet e bankës është dixhitalizimi dhe investimet në teknologji. Bashkimi me Alpha Bank, krijoi mundësinë që OTP të kishte akses për herë të parë në shërbimet “Point-of-Sale” dhe fuqizoi pozicionin e saj si banka me mbulimin më të madh të ATM-ve.
Impakti pozitiv i këtyre zhvillimeve u përkthye në një rritje me 75 për qind të fitimit neto për gjysmën e parë të vitit dhe një rritje me 30 për qind në marzhin e interesave.
“Kur ne blemë Alpha Bank, raporti ynë kosto/të ardhura ishte 44 për qind, ndërsa ai i Alphës ishte 90 për qind. Tani raporti për bankën e bashkuar është 43 për qind. Ambienti i normave të interesit padyshim që ka ndihmuar, por riçmimi i kredive, përmoirësimi i cilësisë e portofolit dhe optimizimi i kostove kanë kontribuar gjithashtu në performancën e fortë të këtij viti,” përfundon Shella.