Pas investimeve në sektorin bankar, tregun e telefonisë dhe atë të fluturimeve ajrore, biznese hungareze po shënjestrojnë tregun e energjisë në Shqipëri. Gemtech Kft., një kompani hungareze do të ndërtojë në Sheq të Fierit një central diellor me vlerë 13.4 milionë euro.
Marrëveshja është njoftuar gjatë takimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama më atë hungarez Viktor Orban. Sipas saj, nga investimi prej 13.4 milionë eurosh, 50 për qind do të financohet drejtëpërdrejt me grant nga qeveria hungareze.
Vec investimit në parkun diellor, Hungaria do të ndihmojë Shqipërinë edhe në menaxhimin e ujësjellësit të Tiranës. Sipas marrëveshjes, kompania shtetërore e ujit në Budapest do të zhvillojë një sistem menaxhimi për ujësjellësin e Tiranës, por detajet e këtij projekti ende nuk janë publike.
Vitet e fundit kompanitë hungareze po mësyjnë në sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Përveç Wizz Air, kompanisë që ka gati 70 për qind të tregut të fluturimeve në Shqipëri, bizneset hungareze kontrollojnë dhe pjesën më të madhe të tregut të telefonisë celulare, ndërkohë që janë të pranishme edhe në sistemin bankar përmes bankës OTP.