27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pe-Vla-ku fiton tenderin 4 mln euro për Unazën që u projektua gabim

Tenderi 4 milionë euro për  përfundimin e lotit 3 të segmentit “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja”, që u ndërtua gabim, është fituar nga kompana Pe-Vla-Ku. Në garën e shpallur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar morën pjesë 5 kompani, që ishin Pe-Vla-Ku, Agi Kons, Ante Group, Victoria Invest dhe Senka. Kjo e fundit nuk paraqiti fare ofertë financiare, ndërsa ofertë fituese është përzgjedhur ajo e kompanisë Pe-Vla-Ku me vlerë 449 milionë lekë ose mbi 4 milionë euro. 

Lotit 3 i segmentit “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja” ka një gjatësi totale prej 740 metrash. Për herë të parë ndërtimi i këtij loti u tenderua në vitin 2018. Pas përfundimit të tenderit, fituese u shpall kompania Victoria Invest, e cila ofroi çmimin 1 miliardë e 180 milionë lekë pa TVSH ose rreth 10 milionë euro.

Por pasi pagoi 10 milionë euro dhe kur segmenti ishte në përfundim, Autoriteti Rrugor Shqiptare kuptoi se ajo ishte projektuar gabim dhe nuk mund t’i rezistonte ngarkesës së trafikut.

“Bazamenti i rrugës nuk siguron aftësinë mbajtëse të kërkuar për përballimin e veprimeve dhe ngarkesave në ballna. Duhet të merret në konsideratë mbështetja e ballnës mbi themele të thella,” thuhej në relacionin e ekspertëve.

Për këtë arsye, një muaj më parë ARRSH, hapi një tender tjetër me 4.2 milionë euro të tjera shtesë me objekt prokurimi “Plotësimi, Rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Rehabilitim i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja Loti 3”. Shtesa prej 468 milionë lekësh e rrit me 42 për qind koston e ndërtimit të kësaj rruge duke e cuar në 14 milionë euro në total për një segment me gjatësi vetëm 740 metër.

Skandal pas skandali

Segmenti i Unazës nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja është 2.4 kilometra i gjatë dhe ka tre lote në total. Ky segment u shndërrua në epiqendrën e një skandali të madh, kur në lotin e parë, atë që përfshinte rrethrrotullimin e sheshit Shqiponja ARRSH shpalli fituese një kompani fantazmë të quajtur DH Albania. Kjo çoi në anullimin e tenderit për lotin e parë, ndonëse në të tre lotet skema ishte thuajse e njëjtë, me një ofertë të vlefshme dhe një kompani fiktive që hynte për koperturë.

Rritja me 42 për qind e kostos për lotin 3, sipas qeverisë ndodh për shkak se vepra është projektuar dhe ndërtuar keq. Por Ministria e Infrastrukturës apo ARRSH nuk kanë bërë asnjë kallëzim në prokurori për kompaninë që e ka projektuar gabim segmentin, ndërkohë që qytetarët detyrohen të paguajnë miliona euro shtesë për segmentin e artë nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja, kostoja e të cilit ka kërcyer shumë më tepër nga parashikimet.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *