Enea Janko
Në Shqipëri sapo ka hyrë në fuqi dhe filloi të shpërndahet nga 1 Tetori 2024 rritja e pensionit prej 4.1 %, ose mesatarisht rreth 650 lekë në muaj duke e çuar nivelin e pensionit mesatar në rreth 16,000 mijë lekë ose 160 euro në muaj. Ndërkohë rritja e pensioneve në vëndet e tjera të rajonit të Ballkanit perëndimor gjatë vitit 2024 ka qënë si më poshtë:
1. Në Maqedoninë e Veriut, qeveria sapo ka miratuar një rritje lineare të pensionit në një vlerë prej 80 euro në muaj për çdo pensionist, nga të cilat 40 euro shtesë filluan të shpërndahen që nga data 1 Tetor 2024 dhe 40 euro do tu shtohen pensioneve në 1 mars 2025, duke e çuar nivelin e pensionit mesatar në 405 euro në muaj ose rreth 250 % e pensionit mesatar në Shqipëri.
2. Në Malin e Zi, qeveria miratoi në 1 Janar 2024 një rritje të pensioneve prej 52 % duke e çuar nivelin e pensionit mesatar nga 304 euro në muaj në 450 euro në muaj ose rreth 280 % e pensionit mesatar në Shqipëri.
3. Në Serbi, qeveria nga 1 Janar 2024 beri një rritje të pensioneve me 14.8 % duke e çuar nivelin e pensionit mesatar në 390 euro në muaj, ndërkohë që presidenti i Serbisë ka deklaruar publikisht një rritje tjetër të pensioneve prej 11 % duke filluar nga data 1 dhjetor 2024 dhe do ta çojë nivelin e pensionit mesatar në Serbi rreth 440 euro, ose sa 270 % e pensionit mesatar në Shqipëri.
4. Në Bosnje & Hercegovinë gjatë vitit 2024 pensioni mesatar u rrit me rreth 35 euro në muaj, duke e çuar atë nga 305 euro në 340 euro në muaj, ose sa 210 % e pensionit mesatar në Shqipëri.
5. Në Kosovë pensioni mesatar llogaritet që të jetë rreth 190 euro në muaj ose rreth 19 % më i lartë sesa në Shqipëri, megjithëse akoma nuk eshtë bërë asnjë rritje e pensioneve gjatë vitit 2024, çka pritet të ndodhë deri në fund të këtij viti.
Përveç nivelit disa herë më të ulët të pensioneve në Shqipëri, krahasuar me vëndet e tjera të rajonit, duhet theksuar që edhe niveli i çmimeve të produkteve të konsumit në Shqipëri është rreth 50 % – 100 % më i lartë sesa në këto vënde të rajonit të Ballkanit.
Nisur nga situata e shkëlqyer financiare e buxhetit të qeverisë shqiptare në vitin 2024, gjatë të cilit pritet që qeveria të arkëtoj gjithsej mbi 700 milion euro më shumë sesa viti i kaluar, ku një pjesë e madhe ka ardhur nga rritja e të ardhurave nga pagesat e sigurimeve shoqërore për shkak të rritjes së pagës minimale, por edhe për shkak të rritjes së numrit të të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore.
Pra, është e qartë që kryeministri Rama i ka të gjitha mundësitë që ashtu si udhëheqësit e tjerë të rajonit, të bëjë një rritje reale prej 5 mijë lekë të reja ose 50 euro në çdo muaj për të gjithë pensionistët, pa prishur asnjë nga balancat makroekonomike të buxhetit të shtetit.
Kjo mbetet vetëm çështje vullneti dhe prioriteti e kryeministrit Rama, sepse mundësitë financiare të buxhetit ja lejojnë plotësisht!