Për të përfituar pension nuk mjafton vetëm të keni mbushur moshën, duhet po ashtu të keni 15 vite punë.
Ata, të cilët nuk e plotësojnë këtë prag, pra që kanë më pak se 15 vite, por edhe ata që duan pension më të lartë mund të përfitojnë nga skema e sigurimit vullnetar.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije kategoritë që mund të përfitojnë nga kjo skemë, dokumentet që duhen dhe çfarë është më e rëndësishme sa varion kjo pagesë dhe në cilat raste aplikohet zbritje.
“Sigurimi shoqëror vullnetar, një mundësi më shumë për të gjithë ata, që kanë periudha të paplotësuara kontributive.
Në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që: Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm; Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre dhe së fundmi nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi”.
Sigurimet mund të paguhen jo vetëm për vitin korrent. Pra, në këtë rast jo vetëm për vitin 2021, por edhe për vitet e kaluara.
SI LLOGARITET
Por si llogaritet kontributi vullnetar? Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se “Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar”.
Kjo do të thotë që kontributet mund të derdhen për paga që variojnë nga 40 000 lekë që është pragu minimal deri në 176.4 që është edhe paga maksimale.
“Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa”, bën me dije Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Kështu, kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2024 është 8,640 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore: 40,000 lekë x 21.6%”,.
Por skema ofron edhe lehtësi. Nëse ju do të parapaguani, pra, nëse në janar do të paguani kontributet për gjithë vitin atëherë aplikohet 6 për qind zbritje.
“Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa.
Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6- mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar); 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar)”.
SI PAGUHET
Për të përfituar nga kjo skemë mjafton të paraqiteni në Agjencinë lokale të Sigurimeve Shoqërore.
Përveç fotokopjes së librezës së punës, duhet po ashtu fotokopje e librezës së kontributeve në rast se disponohet si edhe fotokopje e kartës së identitetit.
Pas informacionit të marrë nga inspektori i sigurimit vullnetar, bëhen llogaritjet e periudhave të punës, konstatohen periudhat boshe dhe dakordësohet për periudhat që qytetari është i interesuar që t’i mbulojë me sigurim vullnetar.
Inspektori i sigurimit vullnetar i Agjencisë lokale të Sigurimeve Shoqërore plotëson dokumentin tip “Urdhër veprimi” dhe ia jep atë të interesuarit.
Me “Urdhërveprim”, sqaron më tej ISSh, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën.
Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”.
Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar (një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes).
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re, në qoftë se nuk ka.
Albeu