Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria po shqyrton mundësinë që bonusi i pranverës për pensionistët të jetë i përvitshëm.
“Bonusi i fundvitit, që është një bonus tradicional, edhe pse tradicionalisht ka qenë fillimisht fare simbolik, pastaj është rritur, por gjithsesi asnjëherë nuk ka qenë në masën e këtij viti dhe pastaj me një tjetër bonus që do të jepet në pranverë, pikërisht si rezultat i mundësive të rritura të ekonomisë dhe që ne duam të kthehet në një mundësi të vitpërvitshme”, u shpreh Rama.
Shefi i qeverisë tha se po administrata po punon për të rritur fondin e pensioneve, pasi sipas tij, rritja ekonomike i mundëson qeverisë të japë më shumë para për të moshuarit.
“Ndërsa nga ana tjetër ne jemi në procesin e përgatitjes së një rritjeje të fondit të pensioneve qoftë duke rritur të ardhurat nga siguria shoqërore, por dhe qoftë duke rritur buxhetin në dispozicion të pensioneve, dhe këtu kam parasysh të pensioneve të çdo muaji. Besoj se për të gjithë ata që bëjnë llogari dhe nuk flasin kot, pensionistët janë kategoria më e kthjelluar nga pikëpamja e llogarive, është e qartë se bëhet fjalë për një numër shumë të madh pensionistësh dhe për shifra shumë të mëdha për mundësitë dhe buxhetin e vendit tonë. Kjo nuk vlen vetëm për vendin tonë, por edhe për vend të zhvilluar, që kur vjen puna tek pensionet janë një sfidë më vete”, tha Rama.
Për shumë vite pensionistët kanë qenë jashtë vëmendjes së politikave publike. Të dhënat zyrtare tregojnë se aktualisht pensioni mujor i të moshuarve në Shqipëri është minimalisht dy herë më i ulët se sa vendi i parafundit në rajon. Por kohët e fundit qeveria është vënë nën presion të madh për të dhënë më shumë para për pensionistët, jo vetëm nga opinioni publik, por me sa duket edhe nga sondazhet e saj të brendshme.
Edi Rama duket i trembur së pensionistët, që kanë qenë një nga kollonat e forta elektorale të Partisë Socialiste, mund të mos jenë më aq besnikë në zgjedhjet e ardhshme, teksa shohin që janë lënë nën mjerim me pagesa qesharake pensionesh dhe kosto të rënda të shërbimeve publike, veçanërisht shërbimit shëndetësor.