11 Dhjetor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Pensionistët nuk i ndahen qeverisë/ Mbajnë protestën e 6-të para kryeministrisë për rritjen e pensioneve

Pensionistët u mblodhën sërish para Kryeministrisë paraditen e së mërkurës për të kërkuar dinjitet në trajtimin e kësaj shtrese të shoqërisë.

Minimum jetik, pensione që të mund të përballojnë jetesën si dhe statusin e minatorit për shumë prej tyre që kishin punuar në miniera ishin disa nga kërkesat e tyre të përsëritura në shesh.

Pensionistët kërkuan mbështetjet e të gjithë qytetarëve, të rinj e të reja për t’ju bashkuar kërkesave të tyre.

“Pensionistët shqiptarë janë shtresa më e varfër në shoqëri”-u shpreh Qani Shino, një nga pensionistët e pranishëm në protestë.

Ata u shprehën se nuk kërkojnë bonus, por pensione dinjitoze, ndërsa deklaruan se vijojnë të mbahen nga fëmijët e tyre, duke u kthyer në barrë ekonomike për ta.

Bonusi i fundvitit sipas pensionistëve është një mashtrim , duke ju mohuar puna ndër vite. Të mbështetur nga Lëvizja Bashkë, pensionistët thanë të bindur se do të vijojnë të protestojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Indeksimin ata e konsideruan detyrë të qeverisë, në kohën kur çmimet e shportës janë rritur.

Prej afro një muaji, qeveria ka organizuar takime publike për të diskutuar me pensionistët, por nuk ka pranuar dialog me grupin “Pensionistët Bashkë” të lëvizjes.

Në deklaratat e saj, qeveria është justifikuar me vështirësitë e rritjes së pensioneve pa reformuar më parë skemën e kontributeve shoqërore.

Në Shqipëri janë 791 mijë pensionistë, nga të cilët 92% përfitojnë pensione nga skema e sigurimeve shoqërore. Pjesa tjetër mbulohen nga skemat e veçanta, si për ish-ushtarakët, minatorët dhe naftëtarët.

Sipas indeksimit me 4.1% të qeverisë, pensionet në qytet u shtuan me rreth 752 lekë ndërsa në fshat me 453 lekë.

Mesatarisht pensionet në Shqipëri variojnë te 15,000-19,000 lekë, shifra që nuk i afrohen as minimumit jetik prej 20,000 lekësh në muaj.

Të dhënat e Citizens.al, të mbledhura nga një anketim online, tregojnë se 87.5% e pensionistëve nuk mbyllin dot muajin dhe shumicën e parave e shpenzojnë për ilaçe. Shumica tregoi se ndihmohen nga fëmijët.

Citizens.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *