27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Përmbytjet shkatërrojnë bizneset në Vlorë, dëme të mëdha

Përmbytjet në Vlorë kanë lënë pas shkatërrim të madh e dëshpërim te banorët e qytetit bregdetar. Uji, i pamëshirshëm, vërshoi dje në rrugët e qytetit, duke u futur në çdo cep, pa kursyer as shtëpi, as biznese. Humbje e mundit të shumë viteve dhe sakrificës së e biznesmenëve dhe banorëve, të cilët me dëshpërim thonë se përballen me këtë fat çdo vit.

Dëmi më i madh përllogaritet për bizneset, ndonëse ende nuk ka një bilanc. Fotaq Veneti, një farmacist nga Vlora, përshkruan me dhimbje dëmin e madh që i është shkaktuar biznesit të tij, në rreth 100 mijë euro. “Niveli i ujit arriti rreth gjysmë metri brenda farmacisë. Humbja ime mund të jetë rreth 100 mijë euro”, thotë ai, ndërsa rrëfen momentet e frikës kur ishte i mbyllur brenda, pa mundur të dalë.

“Kam farmaci. Një dëm shumë i madh, s’mund të them një vlerë fikse por diku tek 100 mijë euro produkte farmaceutike. Qepeni ka qenë i mbyllur për të penguar pjesën e përmbytjes, por duke ditur që ngelëm brenda kemi telefonuar për të dalë jashtë se situata arriti deri në 50 cm ujë brenda. Kemi qëndruar 2 orë brenda. Janë pothuajse 20-50 biznese gjithë kjo rrugë. Kjo është hera e disatë, si një katastrofë”, tha Fotaq Veneti, pronar i një farmacie.

Një tjetër dëshmi që sjell Report Tv, është ajo e Përparim Çelajt, pronarit të një marketi, i cili tregon për dëmin e pësuar që arrin në 5 milionë lekë të vjetra. Ashtu si shumë të tjerë, ai thotë se është dëshmitar i përmbytjeve që ndodhin çdo dimër, duke u përballur me të njëjtën sfidë pa asnjë ndihmë. “U bllokova në dyqan, nuk dilja dot,” thotë ai, duke përshkruar prurjet e mëdha të ujit që e lanë të izoluar në dyqan.

“Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha Përparim Celaj, pronar i një marketi.

Dhembja pasqyrohet edhe në fjalët e Fatjon Ruçit, pronarit të një lokali, i cili dëshmon se ka humbur më shumë se 20 milionë lekë nga përmbytjet e përsëritura.

“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, thotë ai, me një ndjenjë të thellë zhgënjimi.

Autoritetet vendore pritet të nisin punën për të bërë një bilanc të dëmeve të shkaktuar në gjithë Vlorën për shkak të përmbytjeve, që goditën qytetin bregdetar më 4 tetor si asnjëherë më parë.

Shqiptarja.com

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *