28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Policia turr qentë për të kapur paratë e padeklaruara në kufi

Lëvizja me para të padeklaruara në kufi kryesisht nga ana e qytetarëve shqiptarë, por nuk përjashtohen edhe turistët e huaj, vijon të jetë një fenomen ekzistent pavarësisht ligjit në fuqi, fushatave të informimit që janë bërë nga administrata doganore për këtë qëllim, të cilat përfshijnë edhe vendosjen e banerave edhe në aeroporte dhe pika të tjera doganore.

Referuar ligjit në fuqi, të gjithë personat të cilët hyjnë në vend apo largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse.

Kontrollet për fshehjen e shumave të parave tashmë bëhen nga scaner të specializuar, por edhe nga qen të stërvitur, të cilët përveç lëndëve narkotikëve dhe eksplozivëve janë në gjendje të zbulojnë edhe paratë e fshehura.

Por mesa duket ka pasagjerë që guxojnë të kalojnë kufirin me shuma më të mëdha me shpresën se nuk do të diktohen.

Vetëm një javë më parë si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, për të menaxhuar fluksin e lëvizjes, shërbimet e Policisë Kufitare të Hanit të Hotit sekuestruan 84 mijë euro nga dy shtetas polakë, të cilët po i nxirrnin nga vendi pa i deklaruar.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, gjatë muajit Qershor, janë sekuestruar 35.755 euro të padeklaruara. Po ashtu 25 mijë euro janë sekuestruar në Prill dhe në muajin shkurt 29 mijë euro të padeklaruara janë kapur në pikën kufitare të Kapshticës, duke e çuar shifrën në total në 173 mijë euro. Në këto raste materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Procedurat e deklarimit për të gjithë individët që kanë më shumë se 10 mijë euro gjatë kalimit të kufirit, kryhen pranë zyrave të Administratës Doganore, në Pikën e Kalimit Kufitar, hyrje apo dalje. Dhe procesi i deklarimit shoqërohet me dokumentet përkatëse të justifikimit të të ardhurave për shumën të cilët pasagjerët mbajnë me vete. Shifra e parave të sekuestruara për vitin 2023 arrin në 2.7 milionë euro.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *