Një grup deputetësh të qëndrës së djathtë kanë paraqitur në Parlamentin italian një projektligj, i cili heq Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për kirugjinë estetike. “Kirurgjia estetike duhet të përjashtohet nga TVSH. Koncepti i shëndetit përfshin gjendjen e përgjithshme të mirëqënies fizike, psiqike dhe sociale dhe nuk konsiston vetëm në mungesën e një sëmundje,” argumenton Annarita Patriarca, deputete e Forza Italia si nismëtare e projektligjit.
Drafti, i cili është firmosur dhe nga deputetë të Lega Nord dhe Fratelli d’Italia synon t’i japë fund një paqartësie të hershme ligjore në Itali, atë për trajtimin fiskal të mjekësisë estetike. Në vitin 2005 një udhëzim i Agjencisë së të Hyrave Publike, e çertifikonte si të përjashtuar nga TVSH, kirurgjinë estetike.
Por disa zyra lokale të këtij institucioni u kërkonin klinikave që të paguanin TVSH në bazë edhe të një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, sipas të cilës operacionet estetike duhet të përjashtoheshin nga TVSH, vetëm nëse kishin të bënin me trauma, handikape apo sëmundje.
Projektligji kërkon t’i japë fund këtij ngërçi duke e përjashtuar totalisht kirurgjinë estetike nga TVSH. Por drafti është kundërshtuar nga e majta.
“Ndërsa po përgatiten të lehtësojnë taksiat për atë që kanë Ferrari nga 300 mijë euro, tani e djathta po i kërkon qeverisë të heqë TVSH-në për kirurgjinë estetike. Do të prisja një kujdes më të madh për ata që nuk mund të paguajnë dot ilaçet për sëmundjen e tyre, ose për ata që presin me muaj, në mos vite të vizitohen,” deklaroi lideri i të Majtës Italiane, Nicola Fratoianni.