Autoriteti Portual ka vendosur të kualifikojë për në fazën e dytë të pestat ofertat pjesëmarrëse në tenderin më të madh të dekadës, atë për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Edhe pse qeveria ka qenë hermetike duke mos bërë asnjë njoftim zyrtar për tenderin, Kapitali ka mësuar se në fazën e parë të tij kanë garuar 5 kompani, mes të cilave hollandezet Van Oord dhe Boskalis, belgia Jan de Nul dhe kinezja China Communication and Construction.
Fondi limit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është caktuar 393 milionë euro. Në fazën e parë kompanitë pjesëmarrëse nuk kanë garuar me ofertë financiare por vetëm i janë nënshtruar vlerësim teknik për përmbushjen e kritereve teknike të kërkuara. Tashmë, me kualifikimin në fazën e parë, kompanitë do të garojnë në fazën e dytë me ofertat respektive financiare.
Sipas formulës, qeveria ka vendosur që oferta financiare do të ketë 50 për qind të pikëve, ndërsa 50 për qindëshi tjetër lidhet me faktorë më subjektivë vlerësimi si eksperienca e kompanisë, impakti mjedisor etj.
Porti i ri tregtar në Porto Romano do të ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit, dhe jo me financim të huaj sikurse parashikohej në ligjin fillestar të buxhetit 2024. Vitin e kaluar, qeveria akordoi 99 milionë euro në buxhet për ndërtimin e portit, por fondet nuk u përdorën pasi tenderi nuk u bë gati në kohë dhe më pas dështoi në herën e parë.
Në total, për periudhën 2025-2026 qeveria shqiptare ka përcaktuar rreth 260 milionë euro në buxhet për ndërtimin e portit.