7 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Preçedenti/ Rrëzimi i taksës për profesionet e lira, çfarë ndodh më pas?

Shfuqizimi i taksës së profesioneve të lira nga Gjykata Kushtetuese ka një pasojë direkte të sigurtë. Të paktën për këtë vit, profesionistët e lirë nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat nga biznesi në masën 15 apo 23 për qind sipas ndarjes të bërë mbi xhiron e tyre nga qeveria. Por vendimi i GJK nuk garanton se profesionistët e lirë do të mbeten me taksë zero deri në vitin 2029.

Shqipëria është përballur me një situatë të ngjashme të përplasjes fiskale mes Ekzekutivit dhe Kushtetueses edhe në vitin 2016. Në atë kohë, qeveria vendosi t’i bëjë një dhuratë Erion Veliajt, i cili sapo qe zgjedhur në krye të Bashkisë së Tiranës duke rritur taksën e rilicencimit të pikave të karburanteve me 50 fish.

Sipas ligjit të atëhershëm, kompanitë e karburanteve do të paguanin 5 milionë lekë ose 50 mijë euro për të rilicencuar çdo pikë karburanti në territorin e Tiranës dhe 20 mijë euro për çdo pikë në rrethe. Më parë taksa e rilicencimit kishte qenë 3 mijë euro dhe paguhej vetëm një herë në fillim kur hapej pika. Ndërsa me ligjin e ri ajo bëhej 50 mijë euro dhe paguhej çdo 5 vjet.

Ligji u padit në Kushtetuese nga Shoqata e Hidrokarbureve. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi taksën duke argumentuar se rritja e tarifës së licencimit në masën 20 dhe 50-fish është arbitrare, e pa arsyeshme, e pa argumentuar dhe jo proporcionale.

“Rritja e kësaj tarife me 50-fish për subjektet të cilat operojnë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës dhe 20-fish për subjektet të cilat operojnë në territorin e bashkive e tjera, përbën një ushtrim arbitrar të veprimtarisë ligjvënëse, që bie në kundërshtim me Kushtetutën. Ndryshimet në aktin nënligjor duhet të kishin sjellë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e së drejtës së fituar, në mënyrë të veçantë të atyre që operojnë në treg dhe ju nevojitet të rinovojnë licencën, mos cenim të besimit dhe pritshmërive legjitime të këtyre subjekteve, të cilat aktualisht e ushtrojnë këtë lloj aktiviteti. Këto ndryshime, të bëra në mungesë të argumenteve dhe që janë të pajustifikuara, nuk garantojnë stabilitet dhe qartësi të mjaftueshme për të shmangur arbitraritetin,” thuhej në vendimin e arsyetuar të Kushtetueses.

Por 5 muaj pas rrëzimit të taksës, qeveria e miratoi sërish atë. Këtë herë taksa u vendos 3 milionë lekë ose 30 mijë euro për Tiranën dhe 1 milionë lekë për rrethet. Me shumë gjasa, qeveria do të përsërisë këtë skenar edhe me taksën e profesioneve të lira.

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës, që shfuqizoi taksën, qeveria do ta rishkruajë ligjin duke marrë parasysh vërejtjet formale të vendimit të gjykatës. Por një gjë është e sigurtë. Që për këtë vit, profesionet e lira nuk do të paguajnë tatim dhe çdo rivendosje e kësaj takse do të jetë e vështirë të ndodhë, të paktën para vitit të ardhshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *