2 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Procredit, Raiffeisen, OTP, Tirana/ Bankat ku do të rikthehen 100 mln euro kredi të blera nga MCA

Qytetarët, të cilët kanë kredi tek MCA dhe Final tashmë do t’i paguajnë këstet e tyre, jo më tek këto kompani, por pranë bankave. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se kreditë e MCA dhe Final do të rikthehen sërish në bankat që i kanë shitur ato. Por cilat janë këto banka, që do të marrin sërish mbrapsht portofolet e shitura të kredive të këqija? Kapitali publikon tabelën e plotë të kredive që janë blerë nga MCA.

Sipas të dhënave, rezulton se në vendin e parë renditet banka Procredit. Kjo bankë, të paktën deri në vitin 2020, rezulton se i ka shitur plot 22 milionë euro kredi të këqija subjektit MCA.

Pas Procredit vjen ish Societe Generale. Kjo bankë, që aktualisht është blerë nga OTP, rezulton se ka shitur mbi 18 milionë euro kredi të këqija tek MCA. Raiffeisen dhe Tirana bank po ashtu rezulton të kenë shitur portofole më vlerë më të madhe se 10 milionë euro, ndërkohë që në listën e shitësve figurojnë dhe NOA dhe FED Invest.

Ky portofol kredisht është shitur në periudhën 2015-2019 dhe nuk përmban të dhënat për kreditë që janë shitur pas kësaj periudhe. Megjithatë rikthimi i këtyre kredive në banka pritet të pasohet me të tjera detaje.

Deri në këtë fazë është e paqartë se çfarë do të ndodhë me rastet kur mbi kreditë e bankave janë lëvruar kredi të tjera nga MCA apo Final. Po ashtu ende nuk dihet me saktësi se si do të veprohet me ato kredi, të cilat janë dhënë nga MCA me interesa të papërballueshëm apo në kushte të mashtrimit.

Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka vendosur një platformë të posaçme, ku çdo qytetar mund të ankohet. Këto ankesa sipas tij do të shqyrtohen me prioritet nga BSH dhe në rastet kur konstatohen paligjshmëri, qytetarët do të çlirohen nga kosto e paligjshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *