31 Mars, 2025
Tirana, Albania
Kryesore

Programi me Mastercard/ Gati 5 mijë biznese në Shqipëri do të marrin terminale POS falas me kosto të mbuluara për një vit

Gjigandi botëror i pagesave elektronike, Mastercard, do të financojë një program në Shqipëri për nxitjen e pagesave me kartë. Kompania amerikane do të ofrojë gati 5 mijë terminale pagesash falas, të cilat do t’u shpërndahen bizneseve të ndryshme në të gjithë vendin si dhe do të marrë përsipër kostot bankare të tyre për një vit.

“Nga ky program, MasterCard do të shpërndajë 4750 terminale POS falas, në mënyrë që hotelet, restorantet, marketet dhe taksitë, të mund t’i aksesojnë ato pa qenë të shtrënguar që të dalin dhe t’i paguajnë në treg. Jo vetëm kaq, por MasterCrad ka edhe një limit të caktuar për përdoruesit e këtyre terminaleve, që nuk paguajnë asnjë komsionin, pra 0% të komisionit deri në një prag vjetor të caktuar. Nëse e kalojnë pragun, atëherë do të fillojnë të paguajnë komision,” informoi kryeministri Edi Rama.

Presidenti i MasterCard për Evropën, Mark Barnett theksoi se programi do të nisë zyrtarisht në 1 maj të këtij viti.

“Programi nis me 1 maj 2025, pra vetëm pak ditë prej ditës së sotme”.

Sipas planit, bizneset e përzgjedhura që do të marrin terminalet do të jenë në fushën e restoranteve, hoteleve, bareve etj.., ato që janë të lidhura kryesisht me sektorin e turizmit. Ndërkohë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se ekonomia shqiptare mund të kursejë qindra milionë euro nga zëvendësimi i pagesave cash me ato elektronike.

“Nga një zëvendësim i pagesave me para fizike në masën 35% po të kryhen me kartë, mund të kurseheshin mesatarisht rreth 2 miliardë lekë në nivel ekonomie. Për më tepër, nëse ky zëvendësim, pra i pagesave cash, me para fizike, në pagesa me kartë në masën 70%, nëse do të kryhej, atëherë do të kurseheshin rreth 8 miliardë lekë në nivel ekonomie”.

Pas programit të Mastercard, qeveria synon që të realizojë një të ngjashëm edhe me gjigandin tjetër, Visa. Përmes marrjes përsipër të kostove të operimit dhe komisioneve bankare nga këto kompani, qeveria shpreson se do të nxisë bizneset që të ndryshojnë mënyrën e shitjeve duke u larguar nga keshi drejt pagesave elektronike.

Megjithëse terminalet POS janë dyfishuar dhe pagesat me karta janë rritur me 7 herë në 4 vitet e fundit, sërish vendi ynë mbetet mbrapa shumë shteteve të tjera evropiane. Kjo për arsye të kulturës së rrënjosur te shqiptarët për realizimin e pagesave me para në dorë, apo kostot që kanë bizneset nga realizimi i transaksioneve me terminale POS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *