Këshilli Kombëtar i Territorit ka ndryshuar lejen e ndërtimit për kullën Rainbow në Bllok që ndryshe njihet dhe me emrin “Blloku”. Kulla e cila është ndërtuar nga kompania Invest Society sipas lejes së parë të ndërtimit ishte parashikuar me 7 kate, plus një sipërfaqe të vogël ndërtimi në katin e tetë.
Por në mbledhjen e datës 29 maj të këtij viti, KKT ka miratuar ndryshimin e lejes duke e bërë atë me 8 kate të plota. Sipas dokumentave të prezantuara në Këshillin e Territorit përmes këtij ndryshimi kompania përfiton dhe 760 metra katrorë të tjera ndërtim.
Duke patur parasysh çmimet në zonën e Bllokut bëhet fjalë për një biznes rreth 3 milionë euro.
Rainbow
Ndërtesa Rainbow gjendet në kryqëzimin e rrugëve Pjetër Bogdani në veri dhe Vaso Pasho në perëndim, në zemër të Bllokut, ngjitur me bankën Credins. Ajo është projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri.
Kompania ndërtuese e kësaj kulle është Invest Society, që zotërohet nga Dajlan Avdia me 80 për qind dhe Glendi Abdi me 20 për qind.
Invest Society është e njëjta kompani që po ndërton kullat ngjitur me Sahatin e Tiranës, në sheshin Skënderbej. Më parë, pronarët e saj janë njohur ndryshe si pronarët e kompanisë së lojrave të fatit, APEX.