Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara, organi qëndror i blerjeve të shtetit që sot është në varësi të ministrisë së Brendshme, do të shndërrohet në shoqëri aksionare. Qeveria ka hartuar një projektligj, i cili ndryshon totalisht procesin e prokurimeve të përqëndruara duke e kthyer institucionin që i zhvillon ato në një ndërmarrje sh.a.
Sipas draftit, shoqëria e re do të jetë në varësi të ministrisë së Financave dhe do të kryejë prokurime për llogari të të gjitha institucioneve të shtetit. Për këtë shërbim ajo do të arkëtojë tarifa nga nga institucionet publike.
Aktualisht Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara funksionon si institucion buxhetor dhe është nën varësinë e ministrisë së Brendshme. Kjo agjenci kryen prokurime për llogari të institucioneve publike në fusha të tilla si blerja e karburantit, kanceleritë, uniforma, ushqime etj.
Në të kaluarën organi qëndror blerës është përfshirë nga disa skandale, siç ishte rasti i tenderit të uniformave të policisë që solli arrestimin e shumë punonjësve të kësaj agjencie.
Me shndërrimin e saj në shoqëria aksionare, qeveria pretendon se do të rrisë eficencën e prokurimeve publike. Por në fakt, kjo masë pritet të përqëndrojë edhe më shumë tenderat publike në një dorë.