Rrjeti i Bazelit ka ngritur dyshime serioze për hetimet e prokurorisë së Durrësit mbi skandalin e rëndë të mbetjeve toksike. Pas 12 javësh nga mbërritja e anijes turke Moliva, me 102 kontejnerë mbetje të dyshuara toksike, Rrjeti i Veprimit të Bazelit (BAN) dhe Milieukontakt Shqipëri denoncuan heshtjen e plotë të qeverisë dhe vonesën e dukshme në përparimin e çështjes nga Qeveria e Shqipërisë dhe Prokuroria e Durrësit.
“Nuk jemi të sigurt as nëse mostrat janë marrë dhe analizat kanë filluar,” tha zoti Jim Puckett nga BAN. “Nëse ka filluar, është shqetësuese që mostrat nuk janë marrë publikisht dhe pa ndjekur protokollet e duhura dhe zinxhirin e ruajtjes së provave. Trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon ndëshkim penal sipas konventave që Shqipëria ka nënshkruar. Nuk është e pranueshme që kjo të injorohet dhe të lihet në harresë,” shtoi ai.
Kontejnerët u nisën nga Durrësi korrikun e kaluar drejt Tajlandës, për t’u kthyer më pas në Durrës nga Singapori, kur Rrjeti i Veprimit të Bazelit (BAN), pas një sinjalizimi , zbuloi se autoritetet shqiptare dhe tajlandeze nuk e kishin autorizuar kurrë transportin, pavarësisht probabilitetit të lartë që materiali të ishte mbetje e rrezikshme—pluhur ndotës nga furrat dytësore të çelikut.
Pas paralajmërimit, autoritetet e Singaporit dhe Tajlandës, si dhe zyrtarët e linjave të transportit detar Maersk dhe MSC, bashkëpunuan për kthimin e kontejnerëve në Durrës. Ata arritën me Moliva më 28 tetor 2024 dhe, pas sekuestrimit nga Prokuroria e Durrësit, u zhvendosën dhe u dërguan në zonën e portit të Porto Romanos, në veri të Durrësit.
Plani ishte që mostra të merreshin nga cdo kontejner dhe të analizoheshin nga laboratorë të pavarur si pjesë e hetimit të Prokurorisë së Durrësit për të përcaktuar nëse materiali ishte vërtet mbetje dhe për të identifikuar përmes “gjurmës kimike” se kush e kishte prodhuar atë. Deri më tani, të gjitha indikacionet tregojnë se burimi i materialit është fabrika e çelikut Kurum në Elbasan, Shqipëri.
Sipas rregullave të Konventës së Bazelit, ku Shqipëria dhe Tajlanda janë palë pjesëmarrëse, eksporti i mbetjeve të rrezikshme mund të ndodhë vetëm me miratimin me shkrim të vendeve eksportuese, tranzitore dhe importuese. Sipas BAN dhe Milieukontakt, çështja e përgjegjësisë penale nuk mund të neglizhohet më. Këto organizata e konsiderojnë shumë të pazakontë që pas kaq shumë javësh nuk është raportuar ndonjë zhvillim.
Rrjeti i Bazelit ka ofruar një dëshmi të dokumentuar për Prokurorinë e Durrësit, e cila përfshinte fotografi të marra nga denoncuesi dhe deklaratat e tij origjinale mbi ngarkesën e mbetjeve në portin e Durrësit, si dhe të dhëna të analizave laboratorike që tregonin nivele të larta ndotjeje nga objekti i parashikuar për pranim në Tajlandë.
Gjithashtu, BAN ka siguruar numrat e kontejnerëve të mbetjeve të përfshira, përfshirë edhe numrat e 110 kontejnerëve të tjerë të dërguar më herët në Kinë, të cilët Kina i ka sekuestruar si importe të paligjshme të mbetjeve. BAN ka rekomanduar gjithashtu disa laboratorë të shkëlqyer në BE për analizimin e mbetjeve.
Por, pavarësisht se Milieukontakt e dorëzoi personalisht dëshminë në Prokurorinë e Durrësit, zyra refuzoi ta pranonte informacionin, duke deklaruar se ai duhej dorëzuar personalisht nga BAN si autor. BAN, që nuk ka personel në Shqipëri dhe operon nga Shtetet e Bashkuara, më pas kërkoi të dërgonte një deklaratë të pregatitur në prani të një noteri për Prokurorinë e Durrësit, por edhe kjo kërkesë u injorua.