29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Pronari i Aeroportit të Kukësit aplikon për central diellor 12 mega

Kompania që zotëron aksionet e aeroportit të Kukësit, Global Technical Mechanics ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 12 Më, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Ky projekt nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetesë të qeverisë, që do të thotë se energjia e prodhuar nga centrali nuk blihet nga shteti por shitet në tregun e lirë.

Sipas aplikimit, kompania parashikon që ta ndërtojë centralin diellor në njësinë administrative të Shtiqenit në Bashkinë e Kukësit. Global Technical Mechanics është kompania që zotëron 100 për qind të koncesionit të aeroportit të Kukësit dhe përmes këtij aplikimi ajo e zgjeron aktivitetin e saj edhe në prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Një ditë më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli 8 fituesit e ankandit për ndërtimin e 289 mega vat burimeve të reja të energjisë diellore. Projektet e shpallura fituese janë planifikuar në të gjithë vendin, nga Shkodra në Korçë dhe parashikojnë mbi 180 milionë euro investime.

Gjatë shpalljes së aplikimeve fituese, ministrja Belinda Balluku tha se strategjia e vendit është të lehtësojë instalimin e 1 Gë shtesë fotovoltaike “përmes procedurave të pastra, transparente dhe konkurruese”.

Rrjeti i transmetimit shumë shpejt do të shtrihet në zonat me objektet e reja, ndaj ministria do të bëjë një studim në muajt në vijim për kapacitetet e disponueshme të transmetimit dhe shpërndarjes, zbuloi ajo. Në këtë mënyrë do të përcaktojë se ku mund të ndërtohen termocentrale të tjera diellore dhe të erës, shtoi Balluku.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *