Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli fituese kompaninë NET Group në tenderin e “shërbimeve të konsulencës për disa projekte infrastrukturorë në zonën e Lushnjes dhe Divjakës. Kompania u përzgjodh fituese mes 12 ofertave në tenderin minikonkurs me vlerë 82 mijë euro.
NET Group është një kompani që zotërohet nga biznesmeni Valter Begaj. Aktualisht zoti Begaj është në parabargim i arrestuar nga SPAK për korrupsion së bashku me ish drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Sipas SPAK, Berberi dhe Begaj kishin krijuar një skemë karuzel për të përfituar nga paratë e buxhetit si dhe janë përfshirë në transaksione për të fshehur origjinën e parave.
Ligji shqiptar i prokurimeve ndalon rreptësisht kompanitë me pronarë apo drejtues të dënuar. Por meqënëse zoti Begaj nuk është dënuar ende me vendim të formës së prerë, kompania e tij vazhdon të përlajë miliona euro nga paratë e buxhetit.
Kjo e Fondit të Zhvillimit është vetëm njëra nga kontratat publike që NET Group ka përfituar pas arrestimit të pronarit të saj. Kontrata të tjera janë përfituar edhe nnga Bashkia e Tiranës apo institucione të tjera publike.
Në fillim të muajit korrik, zoti Begaj nga qelia e tij e paraburgimit, hoqi dorë nga administrimi i kompanisë dhe caktoi si administratore për të drejtuar punët e biznesit të tij bashkëshorten. Vitin e kaluar, NET Group realizoi një faturim prej 2.5 milionë euro duke regjistruar një fitim neto prej 378 mijë eurosh.